Pesë vjet të humbur kot

  • 19 October 2018 - 17:11
Pesë vjet të humbur kot

Pas një zvarritjeje të gjatë, më në fund Republika e Kosovës është në finalizim të jetësimit të njërit prej kritereve thelbësore të shtetësisë - themelimit të ushtrisë. Politika, më në fund, ka arritur ta votojë me unanimitet të plotë, me përjashtim kuptohet të serbëve, kalimin e pakos ligjore që mundëson transformimin e Forcës së Sigurisë në një organizatë të mirëfilltë ushtarake. Qeveritë kosovare u treguan neglizhente sa i përket adresimit të kësaj çështjeje shumë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin, sepse kjo temë duhej të kryhej që në vitin 2013, ashtu siç e kishte paraparë edhe presidenti Ahtisari në pakon e tij, mbi bazën e së cilës u shpall edhe Pavarësia e Kosovës. Megjithatë, inatet politike dhe mungesa e vizionit shtetëror e lanë vendin pa ushtri deri në ditët e sotme. Papërgjegjësia me çështjen e ushtrisë është e tërë klasës partiake dhe të gjithë pushtetarëve të deritashëm, prandaj askush nuk mund të fajësojë dikë tjetër e t'i bëjë bisht vetë përgjegjësisë për këtë zvarritje. Nëse ushtria mund të bëhej me ligj, pra siç u vendos në fund të bëhej, atëherë përse nuk u ndërmor një nismë e tillë ligjore që në vitin 2013?! Gjithsesi, ky është një tjetër moment për të nxjerrë mësim këta që udhëheqin institucionet, që rrahin gjoks për meritat e tyre, por asnjëherë nuk janë në gjendje të bëjnë autokritikë për gabimet e rënda e me pasoja për shtetin. Po ta kishte Kosova ushtrinë në vitin 2013, sot, pas pesë vjetësh, mund të diskutohej për anëtarësimin në NATO, e jo të votohej në parim pakoja ligjore. Drejtuesit e sektorit të sigurisë, në mënyrë të veçantë, duhet të punojnë që FSK-ja, pas shndërrimit në ushtri, të kompletojë kapacitetet, që të jetë një organizatë ushtarake, sipas standardeve të NATO-s. Ndërkohë, politikanët duhet ta ruajnë unitetin që treguan dje edhe në temat e tjera, siç është ajo e dialogut me Serbinë, ku duhet të merren vendime që ruajnë tërësinë territoriale, sovranitetin e Republikës, dhe të ndalen idetë e rrezikshme, siç është ajo e presidentit për ndarjen e Kosovës.

 

(Kosova Sot)