Drejt Dubait, me mbi 1 milion në xhep

  • 20 October 2018 - 18:40
Drejt Dubait, me mbi 1 milion në xhep
Nuk është hera e parë që një qeveri kosovare ndan shuma të mëdha, për të cilat nuk ka kurrfarë shpjegimi se si do të shpenzohen. Pothuajse nuk ka mbledhje, as të ekzekutivit aktual, që nuk merren vendime të tilla, ku ndahen fonde publike për veprimtari të ndryshme, transparenca e të cilave nuk bëhet ndoshta kurrë. Kjo është vetëm maja e ajsbergut qeveritar, sepse janë qindra vendime të tjera, për të cilat publiku nuk informohet kurrë, që përfaqësojnë politikën korruptive dhe zhvatëse të pushtetit mbi kurrizin e taksapaguesve kosovarë. Kështu, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të premten që të ndajë mjete financiare, me qëllim që, siç është thënë, të menaxhimit efektiv të aktiviteteve lobuese për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë, (INTERPOL). Megjithatë, kryeministri nuk ka qenë në gjendje të tregojë se si do të shfrytëzohen mjetet financiare në vlerë të pak më shumë se 1 milion eurove. Por, zëvendësi i tij, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë më herët se Kosova e ka përkrahjen e shumë shteteve që të jetë pjesë e INTERPOLIT, por i vetmi problem që mund të dalë në këtë drejtim është mosshkuarja e shteteve që do të votonin pro Kosovës në Dubai, sepse udhëtimi është i kushtueshëm dhe, sipas tij, një zyrtar nga Afrika apo nga Karaibet, nëse udhëton deri në Dubai, bileta e aeroplanit kushton mes 12 deri në 15 mijë dollarë. Nëse këto para vërtet shkojnë në favor të lobimit për të siguruar anëtarësimin në INTERPOL, gjithçka mund të justifikohet, por askush nuk na garanton se në Dubai nuk do të shkojnë dhjetëra zyrtarë të Qeverisë, ndoshta edhe me familjarë të tyre për të bërë shoping, për të cilët nevojiten bileta biznes-klasë, hotele me pesë yje e restorante luksoze! Gjatë udhëtimit para pak javësh në Nju- Jork, një aventurë e këshilltarit të kryeministrit i kushtoi buxhetit 20 mijë dollarë, sepse takimi i ftuar dështoi. Dubai mund të jetë qershia mbi tortë!

(Kosova Sot)