Proserbi Thaçi e prorusi Pacolli po e zhbëjnë shtetësinë

  • 09 November 2018 - 17:08
Proserbi Thaçi e prorusi Pacolli po e zhbëjnë shtetësinë

U desh një bashkëbisedim i sinqertë në botën virtuale, që të konfirmohej lajmi alarmant për Kosovën. Disa shtete e kanë tërhequr njohjen! E tash, a ta besojmë Ministrinë e sharlatanit e prorusit Behgjet Pacolli apo një diplomat të një vendi me shumë ndikim siç është Britania e Madhe?! Ky është momenti më i rëndë për Kosovën pas një dekade të pavarësisë. Në vend që të shënonim njohje të reja, shteti po hedh hapa prapa dhe askush nuk mban përgjegjësi, por e fshehin kokën si struci në rërë. Ka disa javë që opinioni është bombarduar me lajme nga Serbia, që bëjnë të ditur për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, ndërsa në anën tjetër MPJ-ja e Kosovës publikon komunikata për shtyp, ku e demanton një gjë të tillë. Por, deklarimi i ambasadorit britanik O'Conell, e ka heshtur Qeverinë kosovare. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dështim dhe zmbrapsje të Republikës. Çka bën kjo Ministri e Punëve të Jashtme? Çfarë bëjnë gjithë ata ambasadorë, konsuj e staf përcjellës anembanë botës, që paguhen me paga të majme, shpenzojnë buxhete të mëdha e nuk ua dëgjon kurrë zërin?! Ky është debakli më i madh për diplomacinë dhe politikën që ndjek shteti ynë, nën dirigjimin e oligarkëve që kanë vetëm një qëllim-t'i mbushin kontot, atje ku i kanë të fshehura me gjasë në parajsat fiskale. Ky lidership, definitivisht, është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur popullit të Kosovës dhe sa më gjatë që do të mbesim nën sundimin e tyre, aq më shumë do të zgjasë izolimi dhe mjerimi. Kjo kastë pushtetarësh të korruptuar, të shitur dhe vasalë të Serbisë e Rusisë, është e gatshme ta dëmtojë në të gjitha format shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo periudhë është me rreziqe të mëdha për vendin. Presidenti këmbëngul që t'i japë territor Serbisë në këmbim të një marrëveshjeje, ndërsa ministri i Jashtëm pakëson numrin e njohjeve me arrogancën dhe fodullëkun e tij. Ky popull duhet ta ndalë rrënimin e Republikës sa nuk është bërë vonë!

(Kosova Sot)