Despoti gënjen nga Paris

  • 12 November 2018 - 17:10
Despoti gënjen nga Paris

Pjesëmarrja në ceremoninë e 100- Vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore i ka mjaftuar despotit të Kosovës të shpallë publikisht "mbështetjen" e SHBA-së për marrëveshjen e paralajmëruar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. I mësuar të mashtrojë opinionin, Hashim Thaçi nuk përton ta shndërrojë në "takim bilateral", qoftë edhe një shtrëngim duarsh me presidentin amerikan Donald Trump. Edhe pse nga Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë njoftim për medie apo konfirmim të "cicërimës" së shkruar nga marioneta Petrit Selimi, kuptohet në emër të presidentit tonë, sundimtarit të Kosovës, nuk i bëhet vonë për gënjeshtrën e radhës. Por, pse gjithë kjo nguti për një marrëveshje brenda pak muajsh, që duhet të arrihet patjetër e me çdo kusht?! Versioni më i besueshëm ndërlidhet me veprimin e Gjykatës Speciale, që është e themeluar mbi bazën e raportit të ish-senatorit Dik Marti, ku disa herë shënjestrohet edhe ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, njeriu më i pushtetshëm në Kosovë, i cili dyshohet se ka krijuar një rrjet të tërë mafio-politik dhe oligarkik, duke kontrolluar gjithçka në Republikën e varfër. Natyrisht se Kosovës i duhet një marrëveshje paqeje me Serbinë për t'i hapur rrugën anëtarësimit në OKB, BE e NATO, por a duhet sërish të paguajnë një çmim kosovarët, pa pasur kurrfarë nevoje ta bëjnë një gjë të tillë? Marrëveshja që e lë shtetin tonë pa veriun i shërben vetëm "mbretit" Thaçi, por jo edhe sovranit, prandaj është e papranueshme. Duke shfrytëzuar skenën e përçarë politike, duke blerë Qeverinë dhe kryeministrin e saj që bën gjithçka për pushtet, despoti ynë mund edhe ta nënshkruajë një marrëveshje, sepse kjo është shpresa e tij e vetme, që të mos ketë telashe në Hagë si disa bashkëluftëtarë të tij. Sidoqoftë, edhe ata që i kanë premtuar lirim nga Specialja, e kanë bërë këtë që ta shfrytëzojnë arrogancën dhe pushtetin e presidentit, sepse e dinë fare mirë, që një premtim i tillë është i pamundur të mbahet. Mes presidentit dhe territorit, njerëzit e kanë të qartë se kush duhet të "sakrifikohet".

 

(Kosova Sot)