Po këta oligarkët tanë, ku do të kërkojnë shpëtim?!

  • 15 November 2018 - 17:00
Po këta oligarkët tanë, ku do të kërkojnë shpëtim?!

Nikolla Gruevski mbretëroi për vite të tëra në Maqedoni, por sot është i kërkuar nga shteti i tij, pasi është dënuar nga Gjykata për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Më kot po e kërkon shpëtimin te një anëtar i Bashkimit Evropian si Hungaria, duke shpresuar se do të marrë azil politik. Të njëjtin fat e kanë edhe bashkëpunëtorët e tij në krim, që po arrestohen e dënohen njëri pas tjetrit. Maqedonia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt BE-së, pasi guxoi të prekte të ashtuquajturit "peshq të mëdhenj". Ngjashëm ka vepruar edhe Kroacia para se të anëtarësohej në BE, kur nxori në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin Sanader për afera korruptive. Pa e goditur krimin dhe korrupsionin në majat e tij, rezultatet konsiderohen modeste dhe të papërfillshme. Këta shembuj të lartpërmendur, as që e shqetësojnë momentalisht drejtësinë kosovare, e nënshtruar ndaj politikës, por një ditë nuk do të kenë rrugëdalje dhe duhet të veprojnë ose t'i bashkohen karvanit të të arrestuarve. Oligarkët në Kosovë, njësoj si në Shqipëri, po e ushtrojnë sundimin e tyre të gjithanshëm, pa u hyrë ferrë në këmbë, sepse kontrollojnë gjithçka. Megjithatë, ata nuk mund të shpëtojnë nga ballafaqimi me ligjin dhe konfiskimi i pasurive që i kanë shpërndarë në emrat e familjarëve,miqve etj. Pyetja që shtrohet është se a do t'ia mbathin si Gruevski, "peshqit" tanë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo do të jenë në gjendje të përballen me forcën e drejtësisë së vërtetë. Deri tani, drejtësia ka dështuar që të ngrejë aktakuza serioze ndaj krerëve të dikastereve shtetërore, që hapur e kanë shkelur ligjin, kanë zhvatur e kanë abuzuar, kanë vjedhur e shpërdoruar paranë publike. Pa e pastruar këtë pjesë, Kosova nuk mund të hedhë asnjë hap serioz në rrugëtimin e saj të pandalshëm evropian. Por, edhe pa ndjekur shembujt e Gruevskit dhe Sanaderit, le ta harrojmë BE-në dhe liberalizimin e shumëpritur dhe stërvonuar të vizave.

 

(Kosova Sot)