Oligarku i Prishtinës në aksion

  • 19 November 2018 - 17:07
Oligarku i Prishtinës në aksion

I konsideruar si një "Kalë Troje" në Lëvizjen "Vetëvendosje" bashkë me FERR-istët e tij, kryetari i kryeqytetit e ka momentin e volitshëm të hajë me dy lugë, në pushtetin lokal dhe atë qendror, ku gjoja luan rolin e opozitës. Në Prishtinë, qeveria e Shpend Ahmetit është tërësisht e dështuar, ndërsa oligarku me klanin e tij po bëjnë biznes me të madhe. Akuzat e ish-partisë që e kandidoi dhe e bëri kryetar të Prishtinës, për korrupsion me lejet e ndërtimit, nuk janë për t'u injoruar. Ata e njohin mirë tashmë Shpend Ahmetin dhe e kanë kuptuar se politikan më makiavelist se ai vështirë se gjen në Kosovë. Mjafton të hedhësh një sy se kush po ndërton lirshëm në kryeqytet, me leje e pa leje, për të kuptuar se milionat po rrjedhin në kontot edhe të pushtetarëve të inkriminuar komunalë. Oligarku i vogël, Ahmeti, është vënë krejtësisht në shërbim të oligarkëve të mëdhenj. Qëllimi kryesor i tij tashmë nuk ka lidhje me zotimet e fushatës elektorale, por vetëm me biznesin e pistë, me nëntokën, mafinë e ndërtimeve. Nëse ia hedh pa u zbuluar, kryetari me rrjetin e tij do të shpërblehen majmë për veprimet e tyre. Një leje ndërtimore kushton shtrenjtë…Por, nuk është vetëm profiti në qeverisjen e kryeqytetit, që ka vlerë për socialdemokratët. Ata duket se mezi po presin të marrin një ofertë joshëse për t'u bërë pjesë e qeverisë 'Haradinaj'. Nuk e fshehin më dëshirën e madhe dhe kjo është e lexueshme gjithnjë e më shumë. Pasi e kanë mashtruar elektoratin, nuk ka asgjë që i ndal sa janë në pushtet, sepse e dinë se një mundësi e tillë është e përkohshme. Në rast të zgjedhjeve, përqindja e tyre do të ishte e pamjaftueshme për të hyrë në Kuvend. Prandaj, oligarku nxiton të shfrytëzojë rastin, të zhvatë e të shpërdorojë sa më tepër, të përfitojë në kurriz të qytetarëve të lodhur nga keqqeverisja e tij. Drejtësia duhet t'i kthejë sytë nga Prishtina dhe krimi që po ndodh këtu!

(Kosova Sot)