Kur shteti është i kapur, as Gjykatës nuk i besohet

  • 25 November 2015 - 17:03
Kur shteti është i kapur, as Gjykatës nuk i besohet

Kryeministri  i sotëm, ish-kryetar i partisë më të madhe në opozitë, që tash është në koalicion me partinë, të cilën e akuzonte për kapjen e shtetit, korrupsion dhe zhvatjen e buxhetit, ka ftuar opozitën që të presë me maturi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, kreu i Qeverisë dhe udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila iu bashkua bllokut paszgjedhor, që për pak e la në opozitë partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, gjatë muajve të rezistencës opozitare, as vetë nuk i besonte më Gjykatës Kushtetuese, e cila e anuloi vendimin e Kuvendit që e bëri kryeparlamentar Isa Mustafën, pasi ai siguroi shumicën e votave. Është hipokrizi politike, të bësh një ftesë të tillë. Si mund t’i besojë sot opozita Gjykatës Kushtetuese, e cila pikësëpari, më herët, e ka shpallur veten jokompetente për të gjykuar, nëse Marrëveshja e Asociacionit e cenon apo jo Kushtetutën.

Është fare e qartë se marrëveshja, si një vendim politik, e tejkalon Kushtetutën dhe nëse ka mbështetjen e Kuvendit, hyn në fuqi, por opozita me të drejtë, ndonëse në forma jo të përshtatshme, po i kundërshton marrëveshjet e 25 gushtit. Justifikimi se këto burojnë nga marrëveshja e prillit, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është krejtësisht i paqëndrueshëm, pasi formulimi i marrëveshjes pasuese për Asociacionin është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës. I madh e i vogël sot e dinë që nëse pranohet ky Asociacion, stabiliteti, integriteti dhe sovraniteti i shtetit tonë do të pësojnë një goditje të rëndë.

Për këtë arsye, Qeveria nuk ka pse ta gjuajë topin te Kushtetuesja e pakompletuar, e dirigjuar politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe jopërfaqësuese e interesave të shumicës shqiptare. Liderët e koalicionit që edhe e kanë gatuar këtë kulaç helmues në Bruksel, duhet të tërhiqen urgjentisht dhe të mos i shkaktojnë edhe më tepër dëme sesa që i kanë shkaktuar deri sot vendit të tyre.