181 milionë euro mallra u importuan nga Shqipëria
Dogana e Kosovës e përmbylli vitin 2011 me të hyra prej 827 milionë euro, 2,5 milionë euro më pak sesa që ishte parashikuar nga projeksionet e buxhetit të Kosovës. Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2011 tha se në kornizën afatmesme të shpenzimeve deri në vitin 2014 Qeveria ka paraparë që Dogana do të vazhdojë të mbetet institucioni kyç për mbledhjen e të hyrave.
Prej buxhetit 1,3 miliard, të hyra për vitin 2012 nga Dogana pritet që të grumbullohen 867 milion[ euro. Kjo për të parin e Doganës mbetet sfidë. “Fillim i vitit është i mirë, megjithëse ne ndikohemi nga kushtet atmosferike. Statistikat e fundit flasin se ne jemi diku 3 milionë euro më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, apo në përqindje diku 7 %”, tha Huruglica. Sfidë tjetër për doganat vazhdon të mbetet modernizimi i organizatës. “Gjatë vitit 2011 ne e kemi marrë një raport të Komisionit Evropian, i cili thotë se Doganave të Kosovës karshi procedurave të standardeve të BE-së nuk i duhet shumë kohë për të arritur atë që dogana mund të jetë institucioni i parë në Kosovë që është i gatshëm për t’u futur në BE”, tha Huruglica.
88 milionë euro
mallra u eksportuan
në Shqipëri
Huruglica tha se edhe këtë vit prioritet do të jetë luftimi i kontrabandës, e cila do të mbetet sfidë. “Veriu i Kosovës tani është më mirë se si ka qenë. Pas datës 25 korrik të vitit të kaluar në kemi prezentë oficerë doganorë në të dyja pikat dhe se kontrabanda është zvogëluar në minimum. Ka pak kontrabandë, janë duke u shfrytëzuar rrugë ilegale kohë pas kohe, por ajo çka mund të garantoj është se përmes portave 1 dhe 31 situata është nën kontroll”, ka thënë Huruglica. Ai ka shtuar se gjatë pjesës së parë të vitit 2011 pjesa më e madhe e kontrabandës ka ardhur përmes pjesës veriore të Kosovës. “Po ashtu, sfidë për ne mbetet lehtësimi i mëtutjeshëm i tregtisë. Banka Botërore në raportet e fundit Kosovën e ka radhitur jo fort mirë në kushtet për ta ushtruar afatizimin dhe pjesë e asaj janë edhe doganat. Kemi marrë hapa konkretë që të përmirësojmë këtë punë. Në vitin 2012, në muajin maj, do të fillojë implementimi i sistemit komplet të ri i teknologjisë informative dhe ky sistem i ri mundëson një zhvillim më të madh sesa që është aktualisht. Kjo do t’u mundësojë kompanive që të bëjnë deklarime pa pasur nevojë të jenë prezentë në kufi”, ka thënë Huruglica. Ai tha se kanë ndikuar masat e reciprocitetit në rritjen e importeve të Shqipërisë dhe ndikimi kryesor është tek autostrada. “Që nga ndërtimi i rrugës në pjesën shqiptare, por edhe në pjesën e Kosovës, ne po vërejmë rritje të qarkullimit me tregjet e Shqipërisë jo vetëm të mallrave që janë origjinë shqiptare, por edhe te mallrave që vijnë prej vendeve të tjera e që e shfrytëzojnë Shqipërinë”, tha Huruglica. Sipas tij, gjatë vitit 2011 nga Shqipëria janë importuar mallra në vlerë prej 181 milionë euro, prej të cilave 90 milionë kanë qenë me origjinë shqiptare, kurse 90 milionë të tjera kanë qenë mallra që kanë ardhur nga vendet e tjera. Ndërsa janë eksportuar në Shqipëri mallra në vlerë 28 milionë euro.
6,5 milionë euro
u grumbulluan nga lojërat e fatit
Ndërsa, sa u përket të hyrave për vitin 2011, Huruglica e ka quajtur vit të jashtëzakonshëm në kuptimin pozitiv. “Është arritur diçka që unë mendoj që është e papërsëritshme. Kemi arritur diku në masën prej 18.10 % t’i rrisim të hyrat më shumë se ato që kanë qenë gjatë vitit 2010. Ai shton se janë realizuar 127 milionë euro më shumë të hyra në buxhetin e Kosovës.
Sipas Huruglicës, edhe eksporti ka pasur një rritje të lehtë, por ai mendon se viti 2012 do të jetë vit i një kthese reale. Ai po ashtu ka thënë se nga aplikimi i taksës së akcizës te lojërat e fatit janë grumbulluar 6,5 milionë euro në vitin 2011, krahasuar me më herët, kur nuk kanë paguar.
Qeveria e Kosovës kishte pritur që të realizonte të hyra nga veturat e vjetra rreth 20 milionë, por u realizuan vetëm 13 milionë. Ndërsa, sa u përket protestave të “Vetëvendosjes” Huruglica ka thënë se gjatë ditëve sa kishte protesta nuk kishte fare qarkullim të mallrave serbe në Kosovë. “U bë publike përmes medieve dhe, siç duket, edhe vetë kompanitë dhe drejtuesit e makinave u shmangen që të importojnë, por pas dy ditësh është kthyer gjithçka në normalitet, pra nuk kemi indikacione se ato protesta kanë ndikuar që të ndalet importi”, tha Huruglica.
Risi për vitin 2011 ishte se për herë të parë ka qenë aplikimi i masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. “Për herë të parë kemi filluar të konfiskojmë mallra në kufij, të cilat i kanë shkelur markën tregtare legjitime një kompanie, e cila është regjistruar pranë MTI-së apo Doganës. Vlera e tërësishme e gjobave është diku rreth 1 milion euro, e konfiskimeve, por ne kemi arritur t’i shkatërrojmë mbi 626 mijë euro në vlerë të produkteve, të cilat kanë qenë shkelje e kësaj pronësie”, tha Huruglica.
- Tenderi për likuidimin, “Roland Berger” e tërheq ankesën
- Prodhuesit kosovarë përmbushin vetëm 40 për qind të tregut
- KEK: Të hënën dorëzohen ofertat për KEDS
- Vendoset reciprociteti me Malin e Zi në transportin rrugor
- Përfundon BETA, nis “Relap”-i 12 milionë dollarë
- Autoriteti i Konkurrencës abuzon me veturat
- “Termokos”, lider i mossuksesit
- 284 biznese u shuan sivjet
- Tender për riaktivizimin e Bllokut A2
- Bullgarët ia mësyjnë Fabrikës së Baterive
- Në Merdar ndërpritet qarkullimi i kamionëve
- AKP-ja bllokon fermën e pulave
- Kosova përfiton 36.5 milionë euro
- Mbi 2 miliardë euro depozita
- Gallup: Korrupsioni në biznese në Kosovë, 83 për qind
- Në maj, konferenca për shitjen e PTK-së
- FMN-ja ia jep Kosovës këstin e parë, 5 milionë euro
- Panairi i Punës, premtohen 130 punësime
- “Ferronikeli” nuk e di kur licencohet
- 14 maji, afati për Federatën e Sindikatave të Elektrokosovës




ad_d.jpg)


Komente