description

20 milionë euro më shumë për PTK-në

Publikuar: E shtune 28 Janar 2012, 14:58 0 Komente

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka nënshkruar kontratë të re me “Monaco-Telecom” për shfrytëzimin e kodit telefonik +377 me kushte shumë më të favorshme se ajo paraprake me koordinimin dhe aprovimin e Bordit të Drejtorëve dhe Aksionarit. Me këtë marrëveshje të re, PTK-ja do t’i kursejë gjashtë milionë euro. Sipas zyrtarëve të PTK-së, me këtë kontratë të re do të përfitojnë konsumatorët, ngase do të ulet çmimi i thirrjeve jashtë Kosovës. Sidoqoftë, PTK-ja tërheq vërejtjen se mungesa e kodit telefonik shtetëror, përveç që shkakton humbje milionëshe, mund të ndikojë edhe në uljen e vlerës së saj dhe ngecjen e zhvillimit të ndërmarrjes. Kontrata me “Monaco-Telecom” ka pasur validitet deri në fund të këtij viti, por me insistimin e menaxhmentit të ri të PTK-së, përkatësisht u.d. të KE-së, Nuredin Krasniqi, e njëjta është rinegociuar dhe janë arritur kushte shumë më të favorshme për PTK-në. Gjatë negociatave të zhvilluara nga kreu i PTK-së, është arritur pajtueshmëri e plotë ndërmjet dy palëve që të ulen shpenzimet e PTK-së për 50 për qind krahasuar me kontratën e vjetër. Kontrata e re, e cila është nënshkruar dje në Monako, në emër të PTK, nga u.d. i KE-së, Nuredin Krasniqi, dhe nga drejtori gjeneral i “Monaco-Telecom”, Martin Peronnet, hyn në fuqi në mënyrë retroaktive që nga data 1 janar 2012. “Marrë në përgjithësi, në fund të vitit 2012, PTK-ja do të ketë në arkën e saj rreth 6 milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar vetëm si rrjedhojë e kësaj kontrate të re, ndërsa deri në përfundim të kontratës rreth 20 milionë më tepër. Siç dihet, në mungesë të kodit telefonik të Kosovës, që nga paslufta e këndej, nga fillimi i operimit të telefonisë mobile Vala, përdoret kodi telefonik hyrës ndërkombëtar i “Monaco-Telecom”, thuhet në njoftimin e PTK-së.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve