description

Konkursi për kryeshef të PTK-së drejt anulimit

Publikuar: E marte 7 Shkurt 2012, 13:17 0 Komente

Konkursi për kryeshef ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke shkuar drejt dështimit. Kjo po ndodh për shkak se Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrje ka mbetur pezull. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Kosova Sot” një zyrtar i lartë në PTK. Sipas këtij burimi, tash me rishpalljen e konkursit për drejtor të bordeve gjithçka ka mbet pezull. “Deri tash nga njëzet kandidatët, sa kishin konkurruar për pozitën e të parit të PTK-së, asnjëri nga ta nuk është ftuar në intervistë, madje as që është formuar komisioni brenda PTK-së për zgjedhjen e kandidatëve”, ka thënë ky burim i cili ka shtuar se sipas gjitha gjasave ky konkurs është drejt anulimit. Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së bëhet nga bordi i drejtorëve. “Bordi i drejtorëve duhet të zgjedhë kryeshefin e PTK-së, ne nuk kemi asnjë kompetencë të ndërdyjmë në punën e bordit”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar për media në MZHE. Ai nuk ka dashur më shumë të prononcohet në pyetjen se a ka ky bord mandat dhe të drejtë ligjore për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv, pasi që bordit i ka skaduar mandati në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë një zyrtar i lartë në MZHE thotë se për zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjeve Publike vendos Zyra e kryeministrit dhe se ata vendosin t’ua vazhdojnë mandatin drejtorëve të bordeve apo jo. Në anën tjetër, këshilltari i kryeministrit, Edi Sejdiu, thotë se me ligj Ministria e Zhvillimit Ekonomik i monitoron bordet e ndërmarrjeve publike.“Është e vërtetë që ne i zgjedhim, por mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit e edhe raportimin ia bëjnë MZHE-së dhe se Ramadan Sejdiu është drejtor mbikëqyrës, po më vjen keq po unë jam në pushim jashtë vendit”, ka thënë përmes telefonit Sejdiu. Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së, thotë se Bordi i drejtorëve të PTK-së është duke e shqyrtuar listën e kandidateve që kanë aplikuar.“Kur të shqyrtohet lista prej bordit do të krijohet lista e ngushtë e kandidatëve të cilët do të thirren në intervistë”, ka thënë Abazi. Nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, kur kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit ekzekutiv Shyqyri Haxha, Bordi i drejtorëve kishte emëruar Nuredin Krasniqin ushtrues të detyrës të kryeshefit ekzekutiv të PTK-së. Në ueb-faqen zyrtare të Kryeministrisë të hënën është publikuar konkursi për drejtorë të ndërmarrjeve publike. Pasi më datën 19 dhjetor të vitit të kaluar ishte anuluar ky konkurs. Konkursi është rishpallur për drejtorë të bordeve të gjashtëmbëdhjetë ndërmarrjeve publike, ku përfshihen edhe PTK-ja, KEK, ANP-ja, KOST etj... Sipas konkursit për drejtor të cilësdo ndërmarrje publike nuk mund të zgjidhen nëse gjatë periudhës 36 mujore para datës së aplikimit ka qenë zyrtarë të zgjedhur publikë, të emëruar politikë ose bartës të një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

Kandidatët për kryeshef

Për karrigen e të parit të PTK-së kanë aplikuar: Adnan Merovci, Qendrim Maqestena, Genc Kuki, Myrmet Mydyti, Petrit Nahi, Afrim Jasiqi, Bashkim Fazliu, Genc Rraci, Ejup Qerimi, Arian Gashi, Rafet Jashari, Agron Berisha, Bislim Fetahu, Arsim Gjinovci, Bas Mutolli, Nuredin Krasniqi, Mejdi Xhokli, Lulzim Rushiti dhe Drita Konjulla. /Kosova Sot/

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve