description

Më 10 shkurt shpallet kompania likuiduese

Publikuar: E premte 3 Shkurt 2012, 13:34 0 Komente

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), më 10 shkurt do të shpallë fituesin e kompanisë për likuidimin e 600 ndërmarrjeve shoqërore. Zyrtarët e AKP-së presin rezultate gjatë këtij viti në likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore, duke u bazuar në ndryshimet ligjore të cilat u bënë në fund të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës, pjesë e të cilave është edhe angazhimi i një kompanie të nivelit ndërkombëtar për ta bërë likuidimin e ndërmarrjeve të Kosovës. AKP-ja tashmë ka shpallur tenderin për përzgjedhjen e kësaj kompanie, dhe siç merret vesh nga burime të ‘Kosova Sot’, interesim kanë shprehur mbi dhjetë kompani të mëdha e të fuqishme e me përvojë ndërkombëtare. “Tenderi për ofrimin e shërbimeve profesionale për likuidimin e portofolios së ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës është i hapur deri më 10 shkurt”, thotë zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, duke shtuar se ky është proces i prokurimit publik ndërkombëtar. Sipas tij janë rreth 600 ndërmarrje shoqërore në portofolion dhe nën mandatin e AKP-së dhe të gjitha do t’i nënshtrohen procesit të likuidimit, pasi kjo është mënyra e vetme ligjore në dispozicion për të identifikuar kreditorët dhe pronarët për pretendimet e tyre me të drejtë në shpërndarjen e të ardhurave nga privatizimi dhe shitja e aseteve gjatë procesit të likuidimit. “AKM-ja ka filluar me mbi 100 likuidime, mirëpo nuk ka mundur t’i përfundojë për disa arsye, ndërsa si shkaktarë të rëndësishëm përmenden mungesa e metodologjisë së likuidimit dhe proceseve esenciale të menaxhimit të likuidimit. AKP-ja ka iniciuar një numër jo të vogël të likuidimeve të reja dhe ka filluar një sërë të shitjeve me likuidim, nga të cilat janë kryer 10 shitje deri më tani”, thotë Kaloshi. Ai shton se të dhënat flasin për ngecje në likuidime të përfunduara, përkatësisht procesi i likuidimit është në fazën fillestare me vetëm tri likuidime të realizuara tek të cilat është përfunduar shpërndarja finale e fondit të likuidimit te kreditorët.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve