Menxhiqi e padit sërish Komunën e Prishtinës
Komuna e Prishtinës nuk i përfill vendimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), e as aktgjykimet e Gjykatës Supreme. Kështu është shprehur Ukshin Menxhiqi, pronar i pompës së benzinës “Bingo Benz 2”, pasi e kishte marrë një vendim nga Komuna e Prishtinës, të cilin Menxhiqi e vlerëson si joligjor. Gjykata Supreme e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar e kishte nxjerrë një aktgjykim me të cilin e ka urdhëruar Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit që në afat prej 30 ditësh ta zbatojë një vendim të lëshuar në vitin 2010 nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), që ka të bëjë me veprimtarinë biznesore të kompanisë në fjalë. Në arsyetimin e Gjykatës Supreme të Kosovës thuhet: “I urdhërohet të paditurës Drejtorisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Komunës së Prishtinës që në afat prej 30 ditësh të marrë vendim lidhur me kërkesën e paditësit për zbatimin e vendimit të MTI-së me numër 02/2010, të datës 4 maj 2010. Me vendimin e MTI-së është pranuar si e bazuar ankesa e paditësit, pronarit të ‘Bingo Benzi 2’, dhe njëherësh është obliguar e paditura Drejtoria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Komunës së Prishtinës që gjatë riprocedimit ta rishqyrtojë vendimin me numër 04. Nt. 330-11291/1 të datës 15.3.2010, dhe të marrë një vendim përkatës”. Po ashtu, në këtë arsyetim thuhet se paditësi thekson në padi se organi i shkallës së parë - Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim e Komunës së Prishtinës nuk ka vepruar brenda afatit ligjor sipas vendimit detyrues të Ministrisë së përmendur, duke bërë kështu shkelje të parashikuar në nenin 26 të ligjit për konfliktet administrative, prandaj propozon që padia të pranohet.
Refuzimi i lejes
Pasi Komuna e kishte pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, ka marrë vendim në të cilën thuhet: Refuzohet kërkesa për leje të punës e “Bingo Benz 2”, njësia numër 3 - e ushtruar nga përfaqësuesi i saj ligjor, Ukshin Menxhiqi, për marrjen e lejes së punës përkitazi me zgjerimin e veprimtarisë me shifër 50 - 50 tregtia me pakicë e karburanteve në Prishtinë, Rr. “Lidhja e Lezhës”, si e pabazuar. Sipas vendimit të Drejtorisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit refuzimi vërtetohet se licenca me numër 1199, e lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për shitjen me pakicë të naftës dhe derivateve të saj në emër të subjektit afarist “Bingo Benz 2” njësia numër 3, ka skaduar. “Nga kërkesa e parashtruar dhe nga provat e bashkangjitura, vërehet se subjekti afarist ‘Bingo Benz 2’, numër 3, nuk ka licencë valide për ushtrimin e veprimtarisë shitje me pakicë të naftës dhe derivateve të saj. Licenca e lëshuar nga MTI me numër 1199, subjektit në procedurë, i ka skaduar më datën 1.12.2011. Skadimi i licencës për shitje me pakicë të naftës dhe derivateve të saj për Drejtorinë për Ekonomi dhe Zhvillim paraqet fakt vendimtar për këtë drejtori”, thuhet, midis tjerash, në vendimin e Komunës së Prishtinës. Ky arsyetim e ka acaruar pronarin e subjektit “Bingo Benz 2”, i cili thotë se ky vendim është nxjerrë në kundërshtim të plotë të vendimit të mëhershëm të MTI-së. “Si është e mundur që Komuna e Prishtinës të mos i përfillë kërkesat dhe vendimet e Gjykatës Supreme”, tha Menxhiqi. Ai shprehet i befasuar: “Unë jam i befasuar me lojërat që është duke i bërë Komuna e Prishtinës në krye me Isa Mustafën. E kam krijuar përshtypjen që ua ka lënë trashëgimi babagjyshi ta udhëheqin Komunën, duke mos u bërë përshtypje se çfarë vendimesh sjellin shkallët e dyta apo Gjykata Supreme, mirëpo vendosin sipas kryeneçësisë së vet”, theksoi Menxhiqi. Ai tregon se Gjykata Supreme, me aktgjykimin e datës 30.11.2011, e ka urdhëruar Drejtorinë për Zhvillimin Ekonomik që të marrë vendim për zbatimin e vendimit të MTI-së të datës 04.05.2010, si dhe e urdhëron këtë drejtori të veprojë drejt dhe sipas vendimit të shkallës së dytë. “Ndërsa Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, e udhëhequr nga Agim Dibrani, mendoj se ka marrë vendim sipas urdhrave të Isa Mustafës më 27.01.2012, kur e hedh si të pabazuar kërkesën time, vendimet e MTI-së dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke bërë kështu sikur autoritet, si të ishte organ i lartë Komuna e Prishtinës”, tha Menxhiqi. Ai shton se nuk do të pajtohet me këtë vendim të Komunës së Prishtinës, ndërkaq habitet se si ka mundësi të merret një vendim i tillë nga Komuna e Prishtinës, e cila gjatë gjithë kohës e ka kontestuar licencën e MTI-së. “Ndërsa tash, pasi i ka skaduar afati, thirret në të, harron se në herën e parë e ka refuzuar kërkesën time me arsyetimin se mungon procesverbali, e që në fakt unë e kisha këtë, në të cilin tash Komuna thirret në të”, tha Menxhiqi. Ai është duke e përgatitur lëndën dhe do ta procedojë në gjykatë prapë, në mënyrë që gjykata ta vlerësojë vendimin e Komunës së Prishtinës.
Hasani në dijeni
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, tha se është në dijeni për rastin, mirëpo nuk mund ta komentojë vendimin e Komunës së Prishtinës. “Ne nuk mund ta komentojmë vendimin, në rast se pala e dorëzon padinë ndaj këtij vendimi, atëherë është paneli i cili do ta shqyrtojë vendimin në fjalë”, tha Hasani.
Arsyetimi i Dibranit
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Agim Dibrani, i numëron arsyet pse është marrë ky vendim për rastin e “Bingo Benz 2”. “Nën 1, ju e dini që MTI-ja i ka ndërprerë dhënien e lejeve të punës, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik vendos në bazë të letrave, nuk del në vend të ngjarjes, dhe nën tre - në bazë të shënimeve, të cilat kanë arritur, ne e shohim që licencës, të cilën e ka pasur për ushtrimin e veprimtarisë shitjes së derivateve licenca 1199, i ka skaduar afati më 01.12.2011. Në bazë të të gjitha këtyre elementeve, Drejtoria e ka sjellë vendimin që nuk mund ta ushtrojë këtë veprimtari, kështu që ai e ka të drejtën e ankesës në gjykatë”, tha Dibrani. Ai shton se për Drejtorinë që ai e udhëheq do të jetë e obligueshme ta zbatojë vendimin e gjykatës, ndërkaq shton se vendimi është marrë në bazë të shumë të dhënave të shumë drejtorive. “Aty është i implikuar inspektorati, janë edhe shërbimet publike, dhe në bazë të këtyre të dhënave ne marrim vendim”.
- Tenderi për likuidimin, “Roland Berger” e tërheq ankesën
- Prodhuesit kosovarë përmbushin vetëm 40 për qind të tregut
- KEK: Të hënën dorëzohen ofertat për KEDS
- Vendoset reciprociteti me Malin e Zi në transportin rrugor
- Përfundon BETA, nis “Relap”-i 12 milionë dollarë
- Autoriteti i Konkurrencës abuzon me veturat
- “Termokos”, lider i mossuksesit
- 284 biznese u shuan sivjet
- Tender për riaktivizimin e Bllokut A2
- Bullgarët ia mësyjnë Fabrikës së Baterive
- Në Merdar ndërpritet qarkullimi i kamionëve
- AKP-ja bllokon fermën e pulave
- Kosova përfiton 36.5 milionë euro
- Mbi 2 miliardë euro depozita
- Gallup: Korrupsioni në biznese në Kosovë, 83 për qind
- Në maj, konferenca për shitjen e PTK-së
- FMN-ja ia jep Kosovës këstin e parë, 5 milionë euro
- Panairi i Punës, premtohen 130 punësime
- “Ferronikeli” nuk e di kur licencohet
- 14 maji, afati për Federatën e Sindikatave të Elektrokosovës




ad_d.jpg)


Komente