description

Politikanët, rreth korrupsionit të përbashkuar

Publikuar: E premte 17 Shkurt 2012, 18:54 0 Komente

Katërvjetorin e pavarësisë së Kosovës shoqëritë civile e kanë përzgjedhur si ditën ideale për të protestuar përmes një aksioni simbolik kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. “Politikanët rreth korrupsionit të përbashkuar”, kjo ishte logoja e cila ishte vendosur në simbolin e pavarësisë së Kosovës “New Born”, nga lëvizja ‘Fol’, e cila organizoi aksion me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilës shprehu pakënaqësinë për mungesën e seriozitetit të institucioneve të Kosovës për luftimin e korrupsionit gjatë këtyre 4 vjetëve si shtet. Përfaqësues të ‘Fol’-it kanë pohuar se edhe katër vjet pas pavarësisë korrupsioni në Kosovë po lulëzon çdo ditë e më shumë. Armend Mazreku nga kjo lëvizje ka pohuar se aksioni “Politikanët rreth korrupsionit të përbashkuar” është një protestë qytetare karshi një sjellje të pacipë prej anës së elitës politike të vendit, e cila e ka zhytur shtetin në korrupsion. “ Korrupsioni është i shpërndarë në të gjitha institucionet e shtetit, sepse ky është vullneti i elitës politike të Kosovës, të cilët buxhetin publik të vendit e kanë shndërruar në një burim të përhershëm të financimit të kënaqësive të tyre”, është shprehur Mazreku.

Sipas tij, për ndërtimin e një shteti të fuqishëm e funksional është jetike që qytetarët të kenë besim në institucionet e vendit. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë rrënuar lidhjen ndërmjet shtetit dhe qytetarit. Përderisa ne sot festojmë pavarësinë politike, ende ka rrugë për të bërë që shteti i Kosovës të ketë pavarësi të mirëfilltë, në mënyrë që të ketë vetëqëndrueshmëri. Korrupsioni është pengesa kryesore në këtë drejtim”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë mjegulluar të ardhmen e Kosovës. E vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në Kosovë, sipas tij, është lufta kundër korrupsionit prej institucioneve të shtetit të Kosovës, si dhe shkëputja e lidhjeve ndërmjet elitës politike na njërën anë dhe krimit e korrupsionit në anën tjetër. Mazreku theksoi se qytetarët e Kosovës sot festojnë katërvjetorin e pavarësisë, që erdhi si rezultat i sakrificave të mëdha e shumëvjeçare të popullit të Kosovës, si dhe mbështetjes së fuqishme nga shtete mike të popujve liridashës. “Përderisa elita politike në Kosovë do të flasë për të arriturat, ne sot dëshirojmë të flasim për atë që më së shumti kërcënon shtetin e Kosovës, korrupsionin”, është shprehur ai.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve