description

Posta lanson “Flakadanët e lirisë”

Publikuar: E marte 31 Janar 2012, 20:55 0 Komente

Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “Flakadanët e lirisë”. Me këtë emision të ri të pullave postare, Filatelia e Postës së Kosovës synon të ridëshmojë edhe një herë se lufta shekullore e popullit kosovar për pavarësi dhe liri padyshim përbën qëndresën më të fuqishme dhe më të përgjakur ndër popujt e Ballkanit. Më 17 janar të vitit 2012 u shënua 30 vjetori i vrasjes së tre dëshmorëve, vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës, veprimtarëve të shquar, përfaqësuesve të rezistencës përmes pendës, ndërkohë që më 31 janar 2012 shënohet 15-vjetori i rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, që përfaqësojnë rezistencën e armatosur. “Sot para jush prezantojmë emisionin e 77- të me radhë të pullave postare titulluar “Flakadanët e lirisë”, dedikuar heronjve tanë të cilët u flijuan për Kosovën e pavarur, për lirinë të cilën ne e gëzojmë sot. Rezistenca dhe rrugëtimi i tyre heroik u bë udhërrëfyes i bashkëluftëtarëve të tjerë që mbajtën ndezur flakën e lirisë, që organizuan, udhëhoqën dhe u hapën rrugë institucioneve të lirisë”, theksoi me këtë rast, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, z. Nuredin Krasniqi. Nga ana e tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik,Besim Beqaj,bëri të ditur se iniciativa e ministrisë që ai drejton dhe e PTK-së për nderimin e heronjve të lirisë me emetimin e një pulle postare është vetëm një detyrë e vogël e institucioneve të Kosovës për veprën e madhe të këtyre dëshmorëve. “Me këtë pullë postare ne sot sublimojmë vlerat më të mëdha të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha synimi i përbashkët i cilëve ishte liria dhe pavarësia e Kosovës”, deklaroi ministri Besim Beqaj. U.d i kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Nuredin Krasniqi, së bashku me ministrin Beqaj dhe kryetarin e Bordit të drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, zbuluan kornizën me pamjen e pullës postare “Flakadanët e lirisë”, ndërkohë që familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve të lirisë u dhuruan komplete të këtyre pullave postare. Përmes edicionit të pullave postare “Flakadanët e lirisë”, Filatelia e Postës së Kosovës ka prezantuar disa nga veprimtarët e periudhës së luftës intelektuale të viteve ‘70/’80 dhe luftës së armatosur të viteve ’90. Ky emision i pullave postare përbëhet prej dy pullave postare me nominale €1 dhe €2, si dhe Zarfi i Ditës së Parë.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve