description

Rritje për 120 për qind e eksporteve

Publikuar: E diel 5 Shtator 2010, 17:31 0 Komente

Duke komentuar parametrat ekonomikë të Kosovës në tremujorin e fundit, zyrtarë të MEF-it janë lavdëruar se ka pasur një rritje të eksporteve në shkallën mbi 130 për qind. Zëdhënësi i MEF-it, Muharrem Shahini, thotë për "Kosova Sot" se periudha janar-korrik tregon për një performancë të mirë në të katër sektorët e ekonomisë. “Zhvillimet e deritanishme tregojnë se projeksionet tona janë realiste dhe variablat makroekonomike po lëvizim në drejtimin e paraparë", tha ai. Sipas Shahinit, ka pasur një rritje të importeve me rreth 10 për qind, që nënkupton për një rritje të kërkesës agregate, si dhe një tregues kyç për nivelin e konsumit. Zëdhënësi i MEF-it sqaron se në të njëjtën kohë edhe realizimi i planit të të hyrave është duke shkuar në harmoni me projeksionet e MEF-it". Ai shton se sektori financiar po tregon një performancë të mirë pasi niveli i kredive dhe depozitave janë rritur krahasuar me vitin e kaluar.

 

Rritje e remitancave

 

Shahini thotë se gjithashtu edhe niveli i remitancave ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Në pyetjen se a ka rënë sivjet fuqia blerëse në Kosovë krahasuar me vjet, Shahini u përgjigj: "Të dhënat e deritanishme nuk flasin për një rënie të fuqisë blerëse, kjo për faktin se trendi i importit është duke shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, që nënkupton se kërkesa agregate nuk është zvogëluar". Sipas tij, rritja e çmimeve, që është duke na shoqëruar gjatë këtyre muajve, flet për një rënie të lehtë të fuqisë blerëse. Ndryshe për një trend të mirë të ekonomisë kosovare ka folur edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Sipas tij, ekonomia e Kosovës është në rrugë të duhur dhe të dhënat që po i proklamon MEF-i na bëjnë të shpresojmë se jemi në një rrugë të mbarë.

 

OEK: Bie fuqia blerëse

 

 

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se siç dihet jo vetëm Kosova, por edhe Evropa e bota janë duke u ballafaquar me pasojat e fillimit të një ngritje çmimesh të produkteve strategjike, dhe duke pasur parasysh faktin se këto ngritje çmimesh kanë efekt zinxhiror, atëherë ndikojnë edhe në ngritjen e kostos së jetesës. Gërxhaliu madje tha se në Kosovë mbi 45 për qind e popullatës është e papunë, dhe është e pamundur të kemi një trend të ngritjes së çmimeve graduale, ndërsa pagat janë të ngrira (të njëjta). Ai thotë se kjo drejtpërdrejt ndikon në rënien e fuqisë blerëse të popullatës në Kosovë.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve