description

Urgjencë për vende të reja pune

Publikuar: E hëne 6 Shkurt 2012, 10:11 0 Komente

Kosovës i mbetet shumë për të bërë në përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe klimës afariste. Ky është konstatim i dalë nga diplomatë dhe ekspertë të ndryshëm, të cilët vënë theksin mbi nevojën e tërheqjes të sa më shumë investitorëve të jashtëm. Aktualisht vendi është i varur nga importet e jashtme, pasi që fuqia prodhuese ende mbetet nën nivelin e dëshiruar. E gjetur në një treg të lirë, mungesa e kapaciteteve prodhuese ndikon mjaft shumë në mirëqenien e qytetarëve, pasi shumica e mjeteve dalin jashtë Kosovës nga importet. Qeveria e Kosovës është zotuar me angazhimet e saj për një rritje ekonomike. Megjithatë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell e quajti të rëndësishme tërheqjen e investimeve të jashtme. Por, për këtë sipas tij duhet punuar ende shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe përmirësimit të klimës afariste. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një takimi të Odës Amerikane në Kosovë. “Megjithëse ka pasur disa zhvillime, mbetet ende shumë për t’u bërë. Qeveria dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, në mënyrë që të krijojnë vende të reja pune. Duhet të punohet për përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe se bizneset së bashku me Qeverinë, duhet ta përmirësojnë klimën afariste në Kosovë si dhe përmirësimin e rendit dhe ligjit”, tha Dell. Ai tha se njerëzit duhet ti besojnë ligjit dhe jo në besimin privat të nderit apo kodit zakonor. Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila tha se përkundër të arriturave që janë bërë, Kosova ka edhe shumë sfida para vetës, për të cilat po punohet të tejkalohen. Ajo po ashtu pohoi se Qeveria po punon që ta ndryshojë perceptimin që kanë investitorët nga jashtë për Kosovën. Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se të gjithë kanë një vizion për një të ardhme më të mirë për Kosovën. “Pa zhvillim ekonomik, nuk do të mund të jemi partner atraktiv për investitorët e jashtëm. Duhet të punojmë dhe ekonomia duhet të jetë prioriteti jonë, në mënyrë që të shohim rezultatet pozitive”, tha ai. Paralelisht me procesin e integrimit të vendeve të rajonit, plasmani I atyre pak produkteve të Kosovës po vështirësohet.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve