description

Vështirësohet qarkullimi, shumë aksidente në trafik

Publikuar: E enjte 2 Shkurt 2012, 20:22 0 Komente

Në Kosovë po vazhdon të mbajë mot i lig dhe i ftohtë. Reshjet e reja të bërës që kanë rënë gjatë natës dhe po vazhdojë të bien kanë vështirësuar, sidomos qarkullimin në rrugë. Megjithatë, rrugët në vend janë të kalueshme. Disa fshatra të Gollakut dhe rrugët në kryeqytet janë vështirë të kalueshme nga bora, sepse nuk ka mirëmbajtje të duhur, ankohen qytetarët. Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe kompanitë e kontraktuara nga Komuna kanë bërë ç’është e mundur që rrugët e qytetit dhe fshatrave të Komunës së Prishtinës të jenë të hapura për qarkullim. Ndryshe, rrugët regjionale janë pjesërisht të kalueshme, rrugë këto që janë në mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërkaq, këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës, Lah Nitaj, ka thënë se pas të reshurave të theksuara, në zonën e Dukagjinit, përkatësisht në komunat e Istogut dhe të Gjakovës, sasia e të reshurave arrin deri në 30 cm, ndërsa në zonat drejt Shqipërisë ka lartësi bore deri në 1 metër”.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës konfirmoi vështirësitë në qarkullimin rrugor. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 44 aksidente, 8 aksidente me lëndime, të tjerat me dëme materiale. Kelani apelon te shoferët që të mos dalin pa pajisje dimërore në rrugë, meqë situata mund të ndryshojë si pasojë e erërave dhe të reshurave që në disa vende kanë intensitet më të theksuar.

Ndërkaq, për shkak të motit të ftohtë dhe reshjeve të vazhdueshme të borës mësimi në shkollat fillore dhe të mesme të Vushtrrisë, Ferizajt dhe tri shkolla të komunës së Prizrenit është ndërprerë deri të hënën mësimin, ka njoftuar Ministria e Arsimit.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve