Ja si t'i mbajmë fëmijët larg teknologjisë

  • 24 May 2016 - 09:34
Ja si t'i mbajmë fëmijët larg teknologjisë

Sot, fëmijët shpenzojnë shumë kohë pranë pajisjeve teknologjike. Ndonëse nga këto pajisje ka shumë përfitime, nga ana tjetër ka edhe dëme serioze.  Disa ekspertë thonë se fëmijët të cilët kalojnë shumë kohë të mbyllur apo izoluar me këto pajisje, janë në rrezik për zhvillimin e aftësive të komunikimit dhe përqendrimit.

Prindërit, mund të zvogëlojnë rrezikun që sjell teknologjia duke vendosur rregulla bazë.

Ja disa mënyra se si t’i largoni fëmijët nga bota e teknologjisë.

Përcaktoni kohë të limituar për përdorim të teknologjisë

Një nga mënyrat e largimit të fëmijëve nga bota e teknologjisë është të përcaktoni kohë të limituar se kur mund t’i përdorin tabletat apo të luajnë video lojëra, dhe kohën e mbetur ta kalojnë me familje.

Lexoni bashkë me fëmijët tuaj

Mënyra më e mirë është të kaloni kohën duke i lexuar fëmijës suaj. Fëmijët e vegjël më së shumti e pëlqejnë kohën që u jepet ta kalojnë me prindërit, sidomos librat me fotografi dhe figura stimulojnë imagjinatën.

Largoni pajisjet nga dhoma e gjumit

Sipas një studimi të bërë, thuhet se rreth 72% e të rinjve mes moshës 6 deri 17 vjeç posedojnë nga një pajisje elektronike në dhomën e tyre. Ky 72% i të rinjve flenë një orë më pak se mesatarja e fëmijëve që nuk flenë me pajisjet e tyre. Mjekët rekomandojnë heqjen apo largimin e pajisjeve elektronike nga dhoma e gjumit.

 Jepni një shembull të mirë

Sipas një artikulli të bërë kohëve të fundit, theksohet se fëmijët formojnë identitetin e tyre duke ju imituar juve. Ju nuk mund të pretendoni që fëmija juaj të zhvillojë shprehi të mira që ju nuk i shfaqni vetë.

(Kosova Sot)