Arjan Peço: Taulant Xhaka do largohet nga Kombëtarja

  • 25 June 2016 - 14:27
 Arjan Peço: Taulant Xhaka do largohet nga Kombëtarja

Ish­futbollisti i Kombëtares shqiptare, Arjan Peço, lëshon “bombën”. Ai mendon se nga kuqezinjtë do të ketë largime futbollistësh në të ardhmen dhe emri që përmend është ai i Taulant Xhakës.

I ftuar në emisionin sportiv “Procesi Sportiv”, Peço thotë me siguri se mesfushori nuk mund të vazhdojë të qëndrojë te Shqipëria dhe mendon se mund të largohet për t’u aktivizuar te Kombëtarja e Kosovës. “Unë mendoj se nga Kombëtarja do të largohet Taulant Xhaka.

Ky është mendimi im, ose ndoshta mund ta quajmë një hipotezë. Pas historive që ndodhën në këtë Europian, mund të ketë zhvillime”, ka thënë Peço duke i suprizuar të gjithë me deklaratën e tij. E thënë nga 41­vjeçari Peço, kjo deklaratë tingëllon shumë e besueshme sepse ai e njeh mjaft mirë Taulant Xhakën dhe temperamentin e tij. Peço është trajner i të rinjve të Bazelit dhe sigurisht që e ka njohur nga afër mesfushorin kuqezi. Më parë, ish­mesfushori është aktivizuar me Kombëtaren shqiptare për 13 ndeshje.

Xhaka i mërzitur­ Gjithçka e ka zanafillën në ndeshjen e parë të Europianit mes Zvicrës dhe Shqipërisë, ku Taulant Xhaka u zëvendësua nga trajneri De Biazi për shkak të ndeshjes së dobët që zhvilloi. Mesfushori nuk e priti mirë stolin dhe përplasi shishen e ujit. Diçka e tillë nuk i pëlqeu aspak teknikut italian, i cili njihet për disiplinën e hekurt dhe vendosi ta linte në stol për ndeshjen me Francën duke e aktivizuar në fund.

Gjatë kësaj kohe, mesfushori është parë i mërzitur në fotot e ndryshme që postohen në rrjetet sociale dhe duket se e ka humbur buzëqeshjen që e karakterizon. Ka festuar shumë pak dhe po pret të marrë kohën e duhur për të vendosur të ardhmen e tij. Nisur nga këto, Arjan Peço mendon se Xhaka mund të jetë i larguari i dytë nga Kombëtarja, pas Lorik Canës që mendon t’i japë lamtumirën aventurës me kuqezinjtë.

I pyetur nga “Panorama Sport”, menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi ka shprehur habinë në lidhje me këtë çështje. “Nuk kam asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Po e dëgjoj nga ju këtë lajm”, tha Bushi. *** Babai e mohon: Nuk ikën nga Shqipëria Babai i Taulant Xhakës, Ragip Xhaka, ka mohuar spekulimet se djali i tij është përplasur me trajnerin De Biazi dhe se do ta braktisë Kombëtaren shqiptare. Ai i ka thënë gazetës “Express” se këto janë vetëm thashetheme.