Dovizioso në 'pole-position'

  • 26 June 2016 - 09:46
Dovizioso në 'pole-position'

Andrea Dovizioso me Ducati do të niset nga "pole position" në Çmimin e Madh të Holandës në Moto GP. Menjëherë pas tij do të jetë Valentino Rossi me Yamaha, ndërsa vija e parë e nisjes në pistën e Assen plotësohet nga Scott Redding. Ky ishte verdikti i provave zyrtare, që u karakterizuan nga shiu dhe asfalti i lagur. Kushtet atmosferike në Holandë ndikuan në paraqitjen e shumë pilotëve.

Por, me gjithë vështirësitë, Dovizioso arriti të regjistronte kohën më të shpejt, duke e ndalur kronometrin në 1'42. 246 dhe ishte shtatë të dhjetat më i shpejtë se Valentino Rossi, ndërsa Redding ishte diçka më tepër se një sekondë më mbrapa. Vetëm i katërti Marc Marquez. Kualifikueset e pilotit të Honda-s u ndikuan nga dëmtimi i motorit, pas rrëzimit në pistë. Marquez u detyrua të qëndronte për një kohë të gjatë në bokse deri sa mekanikët i përgatitën motorin e dytë dhe kishte në dispozicion vetëm katër minuta e gjysmë për të vendosur kohën e tij.

Përveç spanjollit, nga vija e dytë do të nisen Cal Crutchlow e Yonny Hernandez, me këtë të fundit që u ngjit nga sesioni i parë kualifikues, ashtu si edhe Pol Espargaro, i cili do të niset i shtati. I teti në start do të jetë Aleix Espargaro, dhe pas tij Iannone e Petruchi, ndërsa Jorge Lorenzo u klasifikua vetëm në vendin e 11-të. Mes rënieve dhe problemeve me motorin, spanjolli konfirmoi fundjavën e vështirë, duke qenë dy sekonda e 651 të mijtat larg kryesuesit. Probleme kishte edhe Maverick Vinales që do të niset i 12-ti, ndërsa zhgënjeu plotësisht Dani Pedrosa i cili do të jetë i 16-ti në vijën e nisjes

(Kosova Sot)