Një Angli e tërë kundër kombëtares: Jeni për turp

  • 29 June 2016 - 10:37
Një Angli e tërë kundër kombëtares: Jeni për turp

Të vrazhdë dhe jo vetëm. Britanikët, ose më saktë Anglia kryqëzon heronjtë e tyre. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë ata “vrasin” kombëtaren dhe turpin e saj si “Brexit 2”, apo “Brrrrexit 2”. Të gjithë në një mendje. Ndoshta është një nga të paktat herë kur gazetat më të mëdha të tregut britanik nuk zgjedhin të bëjnë lojëra fjalësh, duke preferuar t’i shigjetojnë drejtpërdrejtë njerëzit që dështuan sërish në një eveniment madhor. Anglia nuk fiton asnjë trofe që prej vitit 1966 por më shumë se ky kjo, tabloidet nuk arrijnë të përtypin faktin që një grup lojtarësh të mbivlerësuar dhe mirë paguar bëjnë një paraqitje të shëmtuar përballë një skuadre modeste si Islanda. “The Sun” është tabloidi më i pamëshirshëm duke mos kursyer asgjë. “Dështim, siklet, fatkeqësi, diskreditim, turp, mos u ktheni në shtëpi” shkruan ajo në faqen e parë. “Star Sport” kërkon një ndihmë nga lart me titullin: “Zoti na ndihmoftë”.

“The Times” në një analizë të paprecedentë vendos notën zero për të gjithë lojtarët që zbritën në fushën e lojës, ndërsa “Daily Mail” i cilëson lojtarët “dështakë”. “Daily Nation” i cilëson si jo të denjë lojtarët dhe veçon Hart e Hogson si dy njerëzit fajtorë të kësaj disfate. “The Guardian” e lidh eliminimin me rezultatin e referendumit, duke theksuar se “Anglia ka dalë për të dytën herë nga Europa”, ndërsa “Sport Mirror” ngarkon me faj ish-trajnerin Roi Hogson për Brexit numër 2. Faktikisht Hogson ka dhënë dorëheqjen dhe tani një Angli e tërë kërkon pasardhësin por edhe pse ndodhi. Aventura angleze në Euro 2016 përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, por edhe në këtë kaos, duhen identifikuar fajtorët. Në krye të listës qëndron trajneri Roi Hogson, i cili ndryshoi skuadrën pas botërorit të dështuar duke u dhënë hapësira të rinjve pa krijuar skema strikte. Por një pikëpyetje e madhe ngrihet te çështja e ndërrimeve pasi Hogson u tregua shumë i ngathët në momentet kyçe.

Kane ishte kopja e shëmtuar e vetvetes, Sterling një bllof i madh, ndërsa Runi si regjisor rezultoi një rol i dështuar. I dyti në radhën e të akuzuarve është Xho Hart. Një portier që shpesh herë bën gafa të pabesueshme dhe madje në momentet më kyçe. Një tjetër shkak për dështimin është edhe fakti që shpesh herë në kampin e anglezëve janë vënë në dukje diferencat me lojtarët islandezë të cilët janë vite dritë larg në krahasim me llogaritë bankare të yjeve anglezë. Në fund por jo më pak e rëndësishme është edhe forma fizike, një problem i vjetër për kombëtaren e Anglisë kur konkurron në kompeticionet e rëndësishme. Sezoni i gjatë dhe pa ndalesa po bëhet një pengesë e vërtetë për të marrë maksimumin nga skuadra dhe ndoshta ka ardhur koha që federata të ndryshojë strategji.

(Kosova Sot)