Evra: Nuk e nënvlerësojmë Islandën

  • 30 June 2016 - 16:01
Evra: Nuk e nënvlerësojmë Islandën

Franca nuk do të bëjë të njëjtin gabim si Anglia, duke e nënvlerësuar Islandën. Kjo është garancia e dhënë nga Patrice Evra, në prag të sfidës çerekfinale, që do të luhet të dielën.

Patrice Evra: “Duhet të jemi të përqendruar. Pavarësisht kundërshtarit, nëse do të ishte Anglia, apo tashmë që do të ndeshemi me Islandën, duhet ti themi vetes: Kjo është e rëndësishme! Duhet të kalojmë në gjysmëfinale! Luajmë në shtëpi, por kjo nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë. Do të zhgënjehesha shumë nëse nuk do të kualifikohemi.”

Pas vështirësive në grup, me fitore me gola në fundin e lojës përballë Rumanisë dhe Shqipërisë, Franca vuajti edhe në 1/8-ta, duke fituar 2-1 me përmbysje me Republikën e Irlandës. Evra paralajmëroi blutë se “çmenduri” të tilla nuk funksionojnë gjithmonë.

Patrice Evra: “Jemi të çmendur, pasi vazhdojmë ta trembim veten me paraqitjet në fushë. Ky është një problem. E kemi të qartë se fitoret me përmbysje apo me gola në sekondat e fundit nuk do të funksionojnë gjithmonë dhe kjo mund të ndodhë prej ndeshjes ndaj Islandës. Për këtë arsye duhet të jemi të gjithë të përqendruar. Është e nevojshme që të nisim të veprojmë dhe jo vetëm të reagojmë gjatë ndeshjeve.”

Evra pësoi një lëndim në dorën e majtë, që e detyroi të braktiste stërvitjen e “gjelave”, megjithatë sipas mediave franceze, mbrojtësi i majtë nuk rrezikon për duelin me Islandën.

(Kosova Sot)