Klasikja evropiane

  • 02 July 2016 - 09:38
Klasikja evropiane

Dy gjigantë përballë njëra-tjetrës

Gjermani-Itali është njëra nga sfidat më interesante në këtë Kampionat Evropian, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë dy gjigantë të futbollit botëror. “Pancerat” dëshirojnë hakmarrje dhe janë të motivuar për të triumfuar në këtë përballje dhe në tërë turneun, derisa italianët besojnë në traditën dhe forcën e tyre  

Historia flet vetëm për Italinë

Dëshirë për hakmarrje. E kanë gjermanët, por edhe italianët. “Die Manchaft” kërkon të thyejë mallkimin e gjatë ndaj të kaltërve, të cilët gjithashtu e shikojnë si një sfidë ku kolonia e juventinëve synojnë të fshijnë zhgënjimin e eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Bayern Munchen. Klasikja evropiane Gjermani-Itali e denjë për çdo finale prestigjioze, këtë herë zbret në fushë dy prej skuadrave më të lavdishme të futbollit botëror në çerekfinalen e “Euro 2016”. Italia ka shkaktuar shumë zhgënjime në radhët e kundërshtarëve gjatë historisë së futbollit prandaj në Bordo kryqëzohen fatet e një lufte të gjatë sportive mes dy kombeve. Tensioni është në ajër, fillimisht “Bild” me një titull provokues shpalosi shtatë arsyet pse skuadra e Joachim Low duhet ta kalojë Italinë, ndërsa “Corriere dello Sport” u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë. Italia ka treguar përherë se logjika, llogaritë dhe emrat e përveçëm nuk vlejnë kur përballë ka rivalët e përjetshëm sepse për të kaltrit nuk ka fitore më të madhe se ajo ndaj gjermanëve, kështu ka ndodhur që prej vitit të largët 1970 me ndeshjen e shekullit dhe për të vazhduar më pas me finalen e vitit 1982, gjysmëfinalen e 2006-ës dhe gjysmëfinalen e 2012-ës. Për të kaltrit ka qenë përherë kështu, edhe pse janë matur përherë me një skuadër më të fortë, më të organizuar dhe ndoshta më të pasur. Gjithsesi rekordet janë bërë për t’u thyer dhe këtë herë ndoshta historia ndryshon. Ndeshja e sotme fillon nga ora 21:00, ndërsa në gjysmëfinale do të përballen me fituesin e takimit Francë-Islandë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Gjermanët për hakmarrje

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, i quan italianët artistët e mbrojtjes para duelit titanik që zhvillohet të shtunën. Çerekfinalja epike mes Gjermanisë dhe Italisë është ripërsëritje e asaj në evropianin e kaluar, dhe në Botërorin e vitit 2006, kur italianët triumfuan. “Ne kemi 50 për qind gjasa që të fitojmë. Ne do të japim gjithçka për të fituar. Lojtarët janë shumë të fokusuar, ne jemi përgatitur mirë për Italinë dhe kemi besim. Duhet që të tejkalojmë pengesën më të madhe këtë kampionat. E dimë se ata janë artistët e mbrojtjes që nuk u japin raste të lehta kundërshtarëve. Por, ne duhet të jemi të mirë në krijimin e rasteve dhe konkret para portës. Jemi të fortë në sulm dhe unë e di se italianët kanë respekt për ne”, potencoi Low. Ai shtoi se nuk pret përballje të lehtë ndaj italianëve. “Jashtëzakonisht shumë jam duke u përgatitur për përballjen me Italinë. Ata ishin të shkëlqyer kundër Spanjës. Italia punon shumë mirë së bashku në mbrojtje dhe ka shumë kualitet në sulm. Ata janë ekip më i mirë se në vitin 2012. Duhet t’i shmangim kundërsulmet e Italisë dhe duhet të kemi plan të mirë kur të sulmojmë. Sami Khedira është një lojtar inteligjent dhe do ta kërkoj ndihmën e tij në prag të përballjes me Italinë”, është shprehur trajneri gjerman. Sulmuesi gjerman, Thomas Muller beson që loja kundër Italisë nuk do të përfundojë me lot për skuadrën e tij. “Isha i qetë për ndeshjen e vitit 2012. E nisëm qetë, por përfunduam në lot. Nuk ka turp nëse qan, por kësaj here nuk do të ketë lot. Jam optimist për të shtunën, mund të kalojmë tutje. Nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të tregohemi të gatshëm për këtë fazë të garave”, ka thënë gjermani. Muller foli edhe për mbrojtjen italiane që po njihen tani me emrin BBC - Andrea Barzagli, Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini. “Ata janë të shkëlqyer dhe bazohen në mbrojtjen italiane. Ata janë të bazuar në bllokun e Juventus-it, por nuk janë të pathyeshëm”, ka thënë Muller. Mbrojtësi Mats Hummels i ka të qarta vështirësitë e ndeshjes. “E kemi të qartë se jemi përballë një skuadre të fortë. Të shtunën luajmë kundër emrave si Bonucci e Chiellini, që janë mes mbrojtësve më të mirë në botë, të cilëve do t’u përgjigjemi me Mario Gomez në sulm. Italia është e fortë për mënyrën sesi mbron. Për t’u kualifikuar në gjysmëfinale duhet të luajmë një ndeshje të madhe”, theksoi futbollisti i ri i Bayern-it. Sulmuesi i Gjermanisë, Mario Gomez është mjaft i rezervuar para kësaj sfide të vështirë, por beson se kanë kapacitet për të tejkaluar Italinë që po befason gjatë “Euro 2016”. “Për mua kjo ndeshje është shumë e veçantë, edhe pse mosha nuk ka rëndësi. Ne duam të bëhemi kampionë të Evropës, dhe ne do të bëhemi”, ka thënë Gomez.

 

Image

 

Italianët besojnë në forcën e tyre

Trajneri i Italisë, Antonio Conte befasoi të gjithë me lojën e bukur ndaj Spanjës, por thotë se ndaj Gjermanisë do të jetë edhe më vështirë. “Itali-Gjermani drithëruese? Po. Tani të shijojnë fitoren dhe të bëhemi gati për sfidën kundër Gjermanisë: Do të jetë edhe më e vështirë se kjo”, tha trajneri italian. Alessandro Florenzi thotë se nuk e konsideron arsyetim faktin që Gjermania ka një ditë më shumë pushim se Italia. “Azzurrët” dhe “Die Mannschaft” ndeshen në çerekfinale të ‘Euro 2016’, ndërkohë që gjermanët kanë një ditë më shumë në favor për pushim apo taktika. “Kushdo që mendon se ata kanë pushuar një ditë më shumë, është humbës. Arsyetimet janë për humbësit. Ne duhet të mendojmë për ta ushtruar fuqinë tonë në fushë. Kemi arritur shumë lart dhe tash është Everesti. Jemi të bashkuar me besimin se jemi skuadër e mirë”, ka thënë Florenzi. Matia De Sciglio, një nga zbulimet e Italisë në këtë Kampionat Evropian, përcjell optimizëm në kampin e kaltër përpara duelit ndaj Gjermanisë, i vlefshëm për çerekfinalet e “Euro 2016”. Edhe pse Italia nuk hyn si favorite në sfidën kundër kombëtares së “Pancerave” që do të zhvillohet të shtunën (sot) në mbrëmje në Bordeaux, gjermanët asnjëherë gjatë gjithë historisë së tyre nuk i kanë mundur të kaltrit në një kompeticion madhor si Kupa e Botës apo Kampionati Evropian, dhe duke pasur parasysh këto statistika skuadra e Conte-s do të ketë shanset e saja në këtë përballje, është i sigurt për diçka të tillë mbrojtësi i Milan-it, De Sciglio. “Ne po e përgatitim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ndeshje, ashtu siç bëmë edhe për sfidën ndaj Spanjës. Do të jetë një takim shumë i vështirë sepse përballë do të kemi kampionët e botës. Gjermania ka në përbërje një skuadër të mrekullueshme. Megjithatë edhe ne i njohim vlerat tona dhe kualitet që zotërojmë, kështu që nuk i kemi frikë ata. Nëse luajmë si ndaj Spanjës unë jam i sigurt se mund t’ia dalim”, theksoi mbrojtësi italian.

 

Image

 

Statistikat

Gjermania nuk e ka aspak frikë Italinë. Kampionët e botës kanë arritur pjekurinë e duhur për të përmbysur historinë dhe rritur shanset për të fituar Evropianin pas 20 vjetësh. Shpresëdhënës është bilanci i trajnerit Joachim Low. Strategu gjerman ka udhëhequr “Pancerat” në katër turne ndërkombëtare dhe në të katërta ka mbërritur dy herë në gjysmëfinale dhe dy herë në finale. Gjermania i ka fituar katër çerekfinalet dhe ky është një lajm i mirë: Në çerekfinale të “Euro 2008”-ës, Gjermania mundi 3:2 Portugalinë me gola të Schwainstaiger (22’), Klose (26’) dhe Balack (61’). Në Botërorin 2010, fituan pastër 4:0 kundër Argjentinës. Në “Euro 2012”, “Pancerat” triumfuan 4:2 përballë Greqisë, ndërsa në Botërorin 2014 hoqën qafe Francën 1:0. Gjithashtu, të qenit kampion bote dhe fitorja 4:1 ndaj Italisë në miqësore shërben si një mburojë dhe statistikë shpresëdhënëse për gjermanët. Gjermania është kombëtarja me më shumë pjesëmarrje në Evropiane. Në 11 Evropiane e kanë fituar tre herë, 1972 në Belgjikë, 1980 në Itali dhe 1996 në Angli. Statistikat në një ndeshje si ajo mes Italisë dhe Gjermanisë janë gjithmonë interesante dhe rrjeti mediatik gjerman “Spox” në prag të kësaj përballje në sfidës e quajtur ndryshe si “Ger x Ita” propozon disa të tilla nisur nga fakti që në tetë përballje në një kompeticion zyrtar, Gjermania asnjëherë nuk ka mundur të fitojë ndaj Italisë duke pasur në total katër barazime dhe katër humbje. Gjithsesi “Pancerat” mund të krenohen me faktin se nuk kanë pësuar ende asnjë gol në këtë turne, diçka e tillë për këtë kombëtare, në katër ndeshjet e para të turneut nuk ndodhte që nga Botërori, Argjentinë 1978. Italia njihet ndryshe si kombëtarja e kaltër, por në 19 nga 37 ndeshjet e saj në këtë turne, italianët kanë luajtur me fanellë të bardhë, më shumë se kushdo tjetër në Evropian. Në këtë kompeticion, Italia ka fituar tre ndeshje në total, po aq sa kishte fituar në total, që pas Evropianit të vitit 2000. Dhe e fundit, por dhe më interesantja, 15 nga 18 golat që dy skuadrat kanë shënuar në sfidat me njëra-tjetrën janë realizuar në pjesën e dytë të takimit.

(Kosova Sot)