Kurat natyrale për eliminimin e qelizave të vdekura të lëkurës

  • 26 May 2016 - 17:26
Kurat natyrale për eliminimin e qelizave të vdekura të lëkurës

Lëkura, si organi më i madh i trupit tonë, vazhdimisht nxjerr qeliza të vdekura, që i hapin rrugë krijimit të qelizave të reja të lëkurës, të cilat dalin nga shtresat më të thella. Ky proces i vazhdueshëm bën që lëkura të duket e re dhe e butë. Mirëpo, me kalimin e viteve, ky cikël ngadalësohet dhe si rezultat kemi akumulimin e qelizave të vdekura të lëkurës në shtresën e jashtme të saj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Pastrimi i lëkurës me ujë dhe preparate përcjellëse nuk është i mjaftueshëm për çlirimin e lëkurës nga qelizat e vdekura, pasi që ajo ka nevojë për trajtim më të thellë, që mund të bëhet me ndonjërën prej kurave natyrale, që jua kemi sjellë më poshtë

Tërshëra

Struktura e tërshërës funksionon si agjent për largimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe në largimin e papastërtive. Për më tepër, vitaminat dhe mineralet në tërshërë janë shumë të rëndësishme për lëkurën tuaj dhe proteinat që përmban ky lloj i drithërave pamundëson humbjen e lëngjeve, duke bërë që lëkura të mbetet e zbutur për më gjatë.

Vendosni 2 lugë gjelle tërshërë në një enë, pastaj shtojani 2 lugë gjelle jogurt payndyrë dhe 1 lugë gjelle mjaltë. Aplikojeni pastën në fytyrë dhe bëjini masazh duke bërë lëvizje rrethore, për t’i larguar qelizat e vdekura. Lëreni përzierjen që ta kryejë punën e vet për rreth 10-15 minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të ftohtë.

Një tjetër opsion është përzierja e dy lugësh gjelle tërshërë, 2-3 lugë çaji mjaltë, 2 lugë çaji lëng limoni dhe pak ujë. Bëjini masazh lëkurës me këtë përzierje, pastaj lëreni të qëndrojë edhe rreth 10 minuta.

Aplikojini këto maska natyrale më së shumti një ose dy herë në javë.

Image

 

Sheqeri me vaj ulliri  

Kombinimi i sheqerit ma vaj ulliri krijon një përzierje, që me shumë efekt ndikon në pastrimin e lëkurës. Përderisa copëzat e vogla të sheqerit ndihmojnë në largimin e qelizave të vdekura, vaji i ullirit funksionon si zbutës. Kjo përzierje mund të përdoret për eliminimin e qelizave të vdekura nga të gjitha pjesët e lëkurës, përfshirë edhe buzët.

Përzieni 100 gramë sheqer me 2-3 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër. Shtoni edhe 2-3 lugë çaji mjaltë dhe pak lëng limoni. Përzierjen aplikojeni në lëkurë dhe bëjini masazh lëkurës në formë rrethore për disa minuta, para se ta pastroni lëkurën me ujë të vaktë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Kjo përzierje mund të përdoret një ose dy herë në javë.

Image

 

Çaji i gjelbër

Çaji i gjelbër, përveçqë është shumë i rëndësishëm për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore nëse përdoret si pije, mund të përdoret edhe për trajtimin e lëkurës, saktësisht eliminimit të qelizave të vdekura. Këtë funksion, në fakt, e kryejnë qeskat e përdorura të çajit të gjelbër.

Nxirreni çajin nga brendësia e 2 qeskave të çajit të gjelbër dhe përzieni në një enë me 2-3 lugë çaji mjaltë. Mund ta shtoni edhe një lugë gjelle sodë buke (sipas dëshirës). Përzieni të gjithë përbërësit për ta krijuar një pastë të trashë dhe përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë, për ta lënë që të qëndrojë rreth 10 minuta.

Përfundimisht, largojeni maskën nga fytyra duke përdorur gishtërinjtë e lagur.

Image

 

Kafeja

Kur keni nevojë për një ilaç natyral për eliminimin e qelizave të vdekura, që është lehtë i qasshëm, atëherë shpëtimi juaj gjendet tek kafeja e bluar. Kafeja ndihmon në eliminimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe stimulon prodhimin e qelizave të reja. Për më tepër, ajo ndihmon edhe në përmirësimin e lëkurës së dëmtuar, si dhe në rikthimin e shkëlqimit të venitur.

Përzieni 3 lugë gjelle kafe të bluar, 1 lugë gjelle vaj ulliri ose vaj bajamesh dhe 1 lugë gjelle sheqer. Bëjini masazh lëkurës së fytyrës, qafës, bërrylave dhe gjunjëve duke bërë lëvizje rrethore. Pastaj, lëreni përzierjen që ta kryej punën e vet për 5-10 minuta. Përfundimisht, pastrojeni lëkurën me ujë të vakët dhe thajeni atë.

Përdoreni këtë përzierje një herë në javë.

Image

 

Lëvoret e portokajve

Pasi që t’i hani portokajtë, mos i hidhni lëvoret. Kjo pasi që lëvoret mund të kenë përdorim të gjerë në kujdesin ndaj lëkurës, pasi që të jenë tharë në rreze të diellit dhe pasi që të jenë grirë duke krijuar një masë në formë pudre. Lëvorja e portokallit ndihmon në largimin e papastërtive nga poret e lëkurës, si dhe në eliminimin e qelizave të vdekura. Për më tepër, lëvoret e portokallit janë të pasura edhe me vitaminë C dhe ndihmojnë në rigjallërimin e lëkurës, duke bërë që ajo të duket më e re.

Përzieni sasi të njëjtë të lëvoreve të grira të portokallit me jogurt, për ta krijuar një lloj paste të shkriftë. Masën e fituar aplikojeni në lëkurën e fytyrës dhe qafës. Lëreni që të qëndrojë për 15-20 minuta dhe me duar të lagura largojeni pastën, duke bërë lëvizje rrethore në lëkurë.

Aplikojeni përzierjen një herë në javë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

Image

 

Farat e avokados

Përdorimi i pjesës së butë të avokados për trajtimin e lëkurës është bërë pothuajse i zakonshëm, megjithatë mund të mos keni dëgjuar që edhe farat e avokados mund të përdoren për eliminimin e qelizave të vdekura. Farat janë burim i pasur i antioksiduesve, që ndihmojnë në riparimin dhe të ushqyerit e lëkurës. Pastrojini disa fara të avokados dhe largojini farat e kafenjta. Grimcojini mjaftueshëm sa për ta krijuar një masë në formë pudre, dhe më pastaj përzieni një lugë gjelle të kësaj pudre me një lugë çaji vaj ulliri dhe një lugë çaji mjaltë. Përdoreni përzierjen për trajtimin e fytyrës, qafës, duarve dhe pjesëve të tjera të trupit, duke i bërë masazh lëkurës nëpërmjet lëvizjeve rrethore. Prisni 10-15 minuta dhe pastaj pastrohuni. 

Image

 

(Kosova Sot)