Kuzhina juaj si sallon i kozmetikës

  • 29 June 2016 - 18:09
Kuzhina juaj si sallon i kozmetikës

Në treg ekziston një numër tepër i madh i preparateve kozmetike, por për shumicën e preparateve nuk ka kualitet të konfirmuar, apo nëse ka, çmimi i tyre është tepër i lartë, transmeton gazeta Kosova Sot. 

Mall të lirë e të mirë vështirë mund të gjesh. Kjo vlen edhe për preparatet kozmetike. Preparatet e mira dhe kualitative kushtojnë tepër shtrenjtë. Por, për fat të mirë, këtë problem mund ta zgjidhni në një mënyrë të thjeshtë. Mjafton që ta kontrolloni kuzhinën tuaj dhe do të gjeni gjësende ushqimore, të cilat mund t'i përdorni për përkujdesje ndaj fytyrës dhe lëkurës. Kjo siguron përfitim të dyfishtë. Në njërën anë do të kurseni një mal me para, e në anën tjetër lëkura juaj do të jetë e pastër, e freskët, e shëndoshë dhe e mirëmbajtur me preparate natyrore. Djersa dhe ndotësit grumbullohen në lëkurë gjatë tërë ditës, duke i mbyllur poret e saj, prandaj, me kalimin e kohës, lëkura bëhet e hirtë dhe duket e lodhur.

Për këtë shkak, asaj i duhet një piling i rregullt. Për një piling të rregullt të së dielës mund ta përdorni kafen dhe vajin e ullirit. Përgatiteni një përzierje nga një lugë kafe të bluar dhe një lugë vaj ulliri dhe me të fërkojeni fytyrën - ballin, faqet dhe mjekrën. Për shpëlarje përdoreni ujin e ngrohtë. Një tretman tjetër, mjaft efikas, i pilingut natyror, është ai me anë të lëvores së ananasit. Lëvoren grijeni në copëza të vogla dhe, me anën e saj të brendshme, nën vrushkujt e ujit të ngrohtë, në dush kabinë, apo vaskë, fërkojeni lëkurën e tërë trupit. Sekreti qëndron te fakti që lëvorja e ananasit është e thartë, e thartira e pemëve ka ndikim freskues në lëkurë. Në një mënyrë të ngjashme mund ta përdorni edhe limonin, i cili po ashtu përmban shumë thartirë. Me ujë të ftohtë shpëlani dy limonë, gërryejeni lëvoren e tyre dhe qitni për t'u tharë. Më pas përzieni me 1 lugë vaj të lulediellit dhe me masën e përfituar me kujdes fërkojeni fytyrën, e më pas shpëlajeni me ujë të ngrohtë.

TONIKU NATYROR 
Tonikun për fytyrë mund ta përgatitni nga lëngu i karotës (ka veprim qetësues), lëngu i domateve (ngushton poret e lëkurës) apo uthulla e pemëve (për pastrimin e lëkurës). Merreni një copë pambuku, zhyteni në këto lëngje dhe thjesht, me të lyejeni fytyrën. 

VEZËT PËR PËRKUJDESJE NDAJ LËKURËS SË NDJESHME DHE TË LODHUR 

Për përkujdesje ndaj lëkurës së ndjeshme, përdoreni përzierjen e një të kuqi të vezës, 1 luge lëngu të karotës dhe disa pikave vaj ulliri. Me këtë përzierje lyejeni qafën dhe fytyrën dhe leni që të veprojë gjysmë ore, e më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Për ngushtimin e poreve të lëkurës mund të përdorni disa të bardhë të vezëve. Tundeni një të bardhë të vezës dhe aty shtoni disa pika lëng të limonit. Lyejeni lëkurën rreth qafës dhe dekoltesë dhe, pas 10 minutash, shpëlajeni me ujë të vakët. 

USHQEJENI LËKURËN TUAJ

Nëse doni që ta keni një lëkurë të butë dhe të bukur, atëherë përdorni mjaltin dhe qumështin. Në 1 litër të qumështit të valë shtoni pak mjaltë, të cilin më parë e keni shkrirë në një filxhan me ujë, masën e përgatitur qiteni në vaskë. Do të mahniteni me veprimin e saj, meqë, pas një banje të tillë, nuk do të keni nevojë për asnjë krem. Të gjithë këta tretmanë janë natyrorë dhe krejtësisht të sigurt, e mund t'i provoni lehtë, duke parë a ju pëlqejnë, pa pasur frikë se do ta rrezikoni bukurinë e lëkurës tuaj.  

(Kosova Sot)