Këshilla për shëndetin e thonjve të këmbëve

  • 29 July 2016 - 13:21
Këshilla për shëndetin e thonjve të këmbëve

Femrat nuk mendojnë shumë për shëndetin e thonjve të këmbëve, mirëpo, tani kur veç jemi në sezonin e nxehtë dhe shumë femra preferojnë të mbathin sandale, ka ardhur koha që të përkujdeseni më tepër për thonjtë e këmbëve. Fundja, thonjtë tregojnë shumë për higjienën dhe shëndetin e një femre, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Pastroni gishtërinjtë!

Pastrimi i këmbëve nuk është një gjë që duhet ta shpjegojmë, sepse pothuajse të gjithë njerëzit e bëjnë. Ajo që ne po mundohemi të shpjegojmë është që sa herë që i pastroni këmbët nuk duhet të harroni hapësirën në mes gishtërinjve, pasi që ajo zonë është shumë e rëndësishme për shëndetin e thonjve.

2. Përdorni mjete të duhura!

A keni mjete të veçanta për thonjtë e këmbëve apo thjesht i rregulloni ata me çka do që gjeni në shtëpi? Nuk është e thënë të investoni shumë në pajisjet për thonjtë e këmbëve, mirëpo është pothuajse e domosdoshme të blini elementet kryesore, si prerësen e thonjve dhe zbutësin e lëkurës.

3. Shkurtimi i thonjve

Kur flasim për shëndetin e thonjve të këmbëve njëra nga gjërat më të rëndësishme që na vjen në mend është prerja e tyre. Prerja e thonjve është njëri ndër proceset më të ndërlikuara. Ekspertët preferojnë që t’i shkurtoni thonjtë në atë mënyrë që të evitoni rritjen e tyre në drejtim të lëkurës. Pra, keni kujdes me skajet!  

4. Ushqehuni si duhet!

Ne jemi ashtu si ushqehemi! Është shumë e rëndësishme që të ushqehemi me ushqime të cilat i kontribuojnë shëndetit të thonjve tanë. Disa nga ushqimet më të rëndësishme për shëndetin e thonjve janë: vezët, mishi i viçit, frutat, perimet e gjelbra, specat e kuq, drithërat dhe bajamet.

5. Mos i lagni thonjtë!

Për të pasur thonj të shëndoshë duhet të mos i ekspozoni ndaj ujit. Uji dhe thonjtë janë një kombinim i keq, që ju duhet ta shmangni sa më shumë që keni mundësi. Nëse ju djersiten këmbët, atëherë mundohuni që t’u ofroni atyre kohë të mjaftueshme për të marrë frymë. 

(Kosova Sot)