Këtë sezon barten maskarat “laramane”

  • 27 August 2016 - 08:24
Këtë sezon barten maskarat “laramane”

Përzgjidheni atë që përshtatet më mirë me sytë tuaj

Derisa gardërobën për stinët e vitit e përzgjedhim sipas materialit, e shpesh edhe dizajnit, kur bëhet fjalë për trendët e bukurisë, nuk ka ndonjë ndarje të qartë. Pa marrë parasysh motin, fytyra juaj mund të duket e lumtur, e lëkura të ketë pamje të freskët. Për ta arritur pamjen e freskët, pa e tepruar me grim, mjafton që ta theksoni një pjesë të fytyrës. Nëse përcaktoheni për makijazh të syve, atëherë pjesët e tjera të fytyrës duhet mbetur neutrale. Nuancat e gëzuara nuk duhet t’i veni vetëm me anë të hijes për sy, por ka ardhur koha që të hyni edh enë botën laramane të maskarës, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Maskarën me ngjyra mos e përzgjidhni sipas gardërobës, por në bazë të ngjyrës së syve. Me qëllim që ta theksoni bukurinë e tyre natyrore, kërkoni në vazhdim të tekstit se cila maskarë është e përkryer për ju.

Sytë e kaltër nuk kërkojnë shumë, kur flitet për grimin. Edhe pse këta sy mund të theksohen lehtë, përzgjedhje adekuate është maskara ngjyrë ‘burgundy’. Ne ua propozojmë maskarën “YSL Volume Effect Faux Cils”.

Gratë me sy ngjyrë kafe nuk duhet të shqetësohen shumë, meqë u përshtaten thuajse të gjitha ngjyrat. Maskara me ngjyrë të kaltër kobalt e ofron kontrastin më të mirë dhe sjell ngrohtësi te sytë ngjyrë kafe. Propozimi ynë është maskara “Lancôme Hypnôse Drama”.

Sytë e gjelbër janë mistikë dhe, për t’i bërë ata që të shkëlqejnë në tërë bukurinë e tyre, nevojitet që t’i theksoni me maskarë me ngjyrë komplementare, ngjyrë vjollcë. Propozimi ynë është maskara “NYX Color”.

Janë të rralla femrat me sy të mrekullueshëm, të hirtë. Përzgjidhja adekuate për to është ngjyra e ngrohtë rozë, e cila do ta “thyejë” nuancën e hirtë. Propozimi ynë është maskara “Dior Addict It-Lash”.

Në kufirin midis ngjyrës së çeltë kafe dhe të së gjelbrës, sytë ngjyrë gështenje më së shumti përshtaten me nuancat e ngjyrës së verdhë. Edhe pse në shikim të parë duket ngjyrë jo e rëndomtë  për maskarë, ia vlen që ta provoni. Propozimi ynë është maskara “Chanel Inimitable Waterproof”.

(Kosova Sot)