Kozmetika natyrale

  • 29 August 2016 - 10:42
Kozmetika natyrale

Maska nga argjila për ngushtim dhe pastrim të poreve të lëkurës

Poret e zgjeruara shpesh janë pasojë e kushteve joekologjike, të ushqyerit jo të duhur ose përdorimit të kozmetikës jokualitative. Duhet ta dini se nuk mund të zgjidhet krejtësisht problemi i poreve të zgjeruara, por ato mund të ngushtohen dhe të pastrohen nga qelizat e vdekur. Këtu, ndihmë të madhe ofrojnë maskat nga argjila e bardhë dhe e gjelbër. Nëse e planifikoni një trajtim të fytyrës me argjilë, ju rekomandojmë që argjilën ta blini në barnatore, për të mos pasur arsye për brengosje. Ekzistojnë dy lloje të argjilës, e bardha dhe e gjelbra. Nga ju varet se cilën do ta përdorni gjatë trajtimit. Për lëkurë të tharë e të ndjeshme rekomandohet argjila e bardhëm, për të yndyrshme e gjelbra, por cilëndo që ta provoni, efekti do të jetë fantastik, sepse të dy argjilat janë shumë shëruese. Maskat duhet të përgatiten në enë të qelqta, me lugë të drunjta, sepse argjila oksidohet në kontakt me metalin, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Maska për lëkurë të yndyrshme

Për përgatitje të maskës për lëkurë të yndyrshme përdoret argjila e gjelbër. Ajo absorbon yndyrën, helmet dhe papastërtitë nga lëkura. E stimulon qarkullimin e gjakut, e përtërin ngjyrën e lëkurës, ngushton poret dhe ringjallë lëkurën e dëmtuar. Maska përgatitet në një enë të qelqtë duke u përzier dy lugë të vogla me argjilë të gjelbër me një lugë të vogël me vaj të jojobës, e më pas, gradualisht i shtohet çaji i vakët nga kamomili. Përbërësit përzihen me lugë të drunjtë deri në momentin kur fitohet një pastë homogjene. Këtë maskë e mbani së paku për 15 minuta në fytyrë, e pastaj e shpëlani me ujë të vakët.

Image

Maska për lëkurë të ndjeshme

Kjo maskë përgatitet me argjilë të bardhë dhe u rekomandohet femrave me lëkurë të ndjeshme, të përzier dhe normale. Në një enë të qelqtë i qitni dy lugë të vogla me argjilë, një lugë të vogël me vaj bimore, e më pas gradualisht ia shtoni çajin. Mund të përdorni edhe ujë të distiluar, ndërsa përbërësit i përzini deri në momentin kur ta fitoni një pastë homogjene. Maskën e aplikoni në fytyrë të pastër, e mbani për 15 minuta, e më pas e shpëlani me ujë të vakët.

Cilëndo argjilë që ta zgjidhni nuk do të gaboni, sepse argjila shëron aknet dhe miteserët, parandalon skuqjet dhe njollat në lëkurë, ndërsa e nxit prodhimin e kolagjenit dhe elastinës, përbërës këta të dukjes së freskët e dukjes rinore.

(Kosova Sot)