Gjashtë ide të modës si të barten fundet këtë vjeshtë!

  • 29 September 2016 - 16:37
Gjashtë ide të modës si të barten fundet këtë vjeshtë!

Nëse nuk ju pëlqejnë pantallonat, por kombinacionet paksa më femërore, të cilat nënkuptojnë fundet, atëherë kemi gjashtë ide për ju. Shikoni në vazhdim si t'i kombinoni gjatësitë e ndryshme të fundeve, me llojet e ndryshme të këpucëve dhe gardërobës, transmeton gazeta Kosova Sot.

1. FUNDI ME PALË DHE XHAKETA E LËKURËS

Fundet me palë janë hit absolut i kësaj vjeshte. Ky model përshtatet thuajse me çdo formë të trupit dhe gjatësia duhet të jetë deri nën gjunjë. Përcaktohuni për ngjyrat pastele dhe kombinoni ato me xhaketë të zezë të lëkurës. Mbathni atlete, çizme të shkurtra, apo taka të larta. 

2. FUNDI DERI NË GJUNJË DHE ÇIZMET DERI NË GJUNJË

Çizmet deri në gjunjë përshtaten për mrekulli me fundet e gjata, të shkurtra, apo edhe me ato deri në gjunjë. Këmbët le të shihen në mënyrë diskrete, apo aspak. Kjo është një mënyrë e mrekullueshme e evitimit të bartjes së çorapeve të najlonit. Përkujdesuni që fundi të ketë formë të shkronjës "A", në vend që të jetë i ngushtë. 

 

Image

3. PALËT E GJERA DHE ÇIZMET E SHKURTRA

Një fund i shkurtër në formë të shkronjës "A", me palë të gjera, përshtatet për mrekulli me çizme të shkurtra. Lart mund të vishni pullover apo xhemper me fyt. Këmbët nuk duhet të jenë cullak. Një variant më i mirë është që të mbathni çorapë "grilone". Nëse fundi është i zi, atëherë edhe çorapet duhet të jenë të tilla. Me to, këmbët duken më të holla. 

4. FUNDI I SHKURTËR DHE MANTELI I GJATË

Nëse nuk bën tepër ftohtë, mund të mos mbathni çorape, por nëse doni që të vishni fund të shkurtër, atëherë përkujdesuni që, të paktën, manteli të jetë më i gjatë. Kjo është një mënyrë e mrekullueshme e kalimit nëpër një periudhë kalimtare të këmbëve cullake. Por, të paktën, shputat mbroni me këpucë interesante. 

Image

5. ÇIZMET DERI MBI GJUNJË E FUNDI DERI NËN GJUNJË

Kur të blini çizme deri mbi gjunjë, me gjasë kërkoni kombinime që ua mundësojnë atyre çizmeve që të shihen, respektivisht që të jenë në plan të parë. Por, kjo nuk është mënyra e vetme. Fundet me bel të lartë që zgjerohen kah pjesa e poshtme dhe kanë gjatësi deri nën gjunjë, më së miri përshtaten me këto çizme. Lart visheni ndonjë xhemper me grykë, apo ndonjë këmishë dhe do të jeni më se në trend. 

Image

6. FUNDI I NGUSHTË DHE XHEMPERI I LESHTË

Fundet e ngushta më së shpeshti barten me këmisha dhe bluza. Por, ato do të duken për mrekulli edhe me xhemperë të leshtë, të ngushtë apo "oversized". Përmbi mund të vishni mantel, apo pallto. Edhe pse në disa momente mund të vishni diçka më verore, me këto funde nuk mund të gaboni!

(Kosova Sot)