Orizi si aleat i bukurisë

  • 19 February 2017 - 22:41
Orizi si aleat i bukurisë

Përveç përparësive ushqyese dhe shëndetësore, orizi e ka edhe anën kozmetike, kështu që është pjesë përbërëse e shumë preparateve kozmetike. Jua sjellim disa mënyra për ta përdorur atë si aleat të bukurisë suaj ,raporton Gazeta Kosova Sot

UJI I ORIZIT SI TONIK Orizi dhe uji janë gjërat që ju nevojiten që vetë ta përgatitni një preparat për fytyrë, por edhe për flokë. Larja e fytyrës me ujin, në të cilin është zier orizi, lëkurën e bën më të butë dhe mund të shërbejë si zëvendësim i mirë i tonikut. Nëse i lani flokët me ujë të orizit, flokët do të bëhen me një shkëlqim të veçantë. Përgatitja është e thjeshtë. Ujin në të cilin është zier orizi e aplikoni në fytyrë dhe e lini të thahet. Kur të jetë tharë tërësisht lëkura, e fshini me pambuk të zhytur në ujë të distiluar. Ujin e orizit mund ta përdorni për zbukurim të shpejtë të fytyrës dhe për mënjanim të shkëlqimit yndyror të lëkurës.

PILINGU NGA ORIZI Nëse e bëni vetë një piling për fytyrë nga orizi, me lehtësi mund t'i hiqni qafe puçrrat ose aknet. Për lëkurë të yndyrshme e bëni një piling nga orizi të kombinuar me kade, sodë të bukës ose qumësht. Ato do ta rregullojnë funksionin natyral të gjëndrave përgjegjëse për sekretim të yndyrës. Fytyra më nuk do të jetë e yndyrshme, por e freskët dhe e shkëlqyer. Për lëkurë shumë të tharë, duhet kombinuar orizin me vaj të ullirit. Vaji i ullirit i hap poret e lëkurës së fytyrës, e mu për shkak të poreve të mbyllura krijohen problemet me thatësinë. Ndihmon edhe në mënjanimin e qelizave të vdekura. Qelizat e vdekura të lëkurës mund t'i mënjanoni edhe me një piling nga orizi dhe mjalti, e mund ta përdorni për shembull për mënjanim të lëkurës së fortë të thembrave. Gjysmë filxhani të orizit e bluani dhe e shtoni në përzierjen e 2 decilitrave të uthullës mollës me 2 lugë me mjaltë. I përzini mirë dhe me të e fërkoni lëkurën e fortë të thembrave.

SEKRETI I BUKURISË NË MASKËN NGA ORIZI Për ta mbajtur lëkurën në një gjendje të përkryer dhe për ta parandaluar plakjen e parakohshme të lëkurës, femrat e Lindjes së Largët përdorin maskë nga orizi. Kjo maskë shëruese për fytyrë me oriz, qumësht dhe mjaltë përgatitet lehtë. Pas përdorimit të saj, lëkura bëhet e butë, e lëmuar dhe e shkëlqyer. Për përgatitjen e maskës japoneze nga orizi i merrni 2- 3 lugë me oriz të papërpunuar dhe i qitni në ujë dhe i ngrohni gradualisht derisa të zbutet orizi. Orizin e zier e filtroni dhe e vendosni në një enë të veçantë. Orizin e zier e shpëlani me ujë dhe ia shtoni një lugë me qumësht të ngrohtë. E përzini mirë dhe ia shtoni më pas një lugë me mjaltë. Maskën e aplikoni në shtresë të trashë në lëkurën e pastruar të fytyrës dhe qafës. Pas gjysmë ore atë e hiqni me kujdes dhe e lani me ujin e orizit të zier. Ajo e hidraton lëkurën e fytyrës, përmban antioksidues dhe posedon karakteristikë absorbuese të rrezeve ultraviolete. 

(Kosova Sot)