Si t'i hiqni qafe rrudhat nën sy?

  • 28 March 2017 - 16:44
Si t'i hiqni qafe rrudhat nën sy?

Sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe vend ku shprehen ndjenjat tona, derisa flasim me të tjerët, transmeton gazeta Kosova Sot.

Kolagjeni dhe elastina janë fibra të proteinave në qelizat e lëkurës, të cilat i bëjnë ato më të forta dhe më elastike. Këto fibra krijojnë një rrjet, i cili ia mundëson lëkurës së shëndoshë dhe të re që të shërohet shpejt dhe me efikasitet. Me kalimin e viteve vjen deri te zvogëlimi i prodhimit të kolagjenit dhe elastinës, me çka lëkura vjen gjithnjë, duke u bërë më e hollë dhe më pak e aftë që të rigjenerohet. Edhe ekspozimi në diell e përkeqëson këtë problem. Ndaj ndikimit të dëmshëm të diellit sidomos e ndjeshme është zona e lëkurës, që gjendet nën sy, meqë ajo është thuajse gjatë tërë ditës e ekspozuar ndaj diellit. Megjithatë, është konstatuar se paraqitja e rrudhave nën sy, ka të bëjë edhe me aspektin gjenetik. Për këtë shkak, duhet ditur se nuk mund të bëni shumë për ta ndryshuar atë që e keni trashëguar me gjene, por duke ndjekur disa këshilla të vogla, mund ta zvogëloni në masë të ndjeshme intensitetin e rrudhave nën sytë tuaj. 

• Të bardhët e vezës dihet se ndihmon në tërheqjen (tendosjen) e lëkurës. Kjo e bën këtë substancë tepër të dobishme për largimin e rrudhave. • Avokadoja gjithherë është konsideruar si ushqim tepër i shëndetshëm, meqë përmban sasi të madhe të vitaminës E. Kjo vitaminë stimulon prodhimin e kolagjenit, i cili nga ana e vet, i ndihmon lëkurës që t'i luftojë efektet e plakjes. Kolagjeni është efikas edhe kundër dermatitit dhe puçrrave. Një maskë e mirë me avokado hidraton lëkurën rreth syve, duke i dhuruar asaj edhe acidet e domosdoshme yndyrore. • Kastravecët janë një opsion i mirë për largimin e rrudhave nën sy, meqë ata përmbajnë 96% ujë, por edhe vitaminë C, vitaminë E dhe disa vajra esenciale. Mënyra më e mirë për përdorimin e kastravecëve është që, në zonën e prekur nga rrudhat, të vendoset pak lëng kastravecësh, apo edhe rriska të tij. • Rëndësi të madhe ka edhe një gjumë adekuat gjatë natës. Në rast se nuk flini sa duhet, atëherë do të keni pasoja serioze, duke përfshirë edhe qeskat nën sy, si dhe një lëkurë të thatë dhe me rrudha. • Pini sasi të konsiderueshme të ujit. Mos harroni se kjo është një pjesë me të vërtetë e rëndë- sishme e hidratimit, si për trupin tuaj, po ashtu edhe për lëkurën, në veçanti. Mund ta përdorni edhe një losion hidratues, i cili ka ndikim parandalues ndaj paraqitjes së rrudhave. • Aplikojeni një sasi të vogël të vazelinës rreth syve tuaj para se të bini në gjumë. Kjo e hidraton lëkurën, e zbutë atë dhe i zbeh rrudhat. 

• Përzieni pak vaj ulliri, qumësht dhe ujë trëndafili. Aplikojeni këtë përzierje në zonën rreth syve tuaj me një copë pambuku. Kjo do ta relaksojë këtë zonë dhe do ta ketë një efekt imediat në lëkurën tuaj. • Kujdes! Me rastin e aplikimit të losioneve apo maskave, asnjëherë nuk duhet ta fërkoni lëkurën. Aplikoni këto substanca në sasi të vogël derisa lëkura t'i absorbojë ato. • Përdoreni një hije kozmetike të syve, e cila 'tërheqë' dritën dhe e reflekton atë prapa. Kjo do të funksionojë edhe më mirë nëse hija juaj kozmetike ka strukturë kremi, meqë faktori i tij hidratues do të ndihmojë në zbutjen e shprehjes tuaj. Ne nuk rekomandojmë pluhura, meqë ata e thajnë lëkurën dhe i theksojnë rrudhat. • Me qëllim të relaksimit të fytyrës dhe të ruajtjes së pamjes rinore për një kohë më të gjatë, mund ta bëni këtë ushtrim të thjeshtë: Kur të ndieni tension në sy, mbyllni ata dhe lini që të pushojnë për disa sekonda. Më pas, hapini ata sa më shumë që të mundeni, duke i tërhequr të gjithë muskujt e syve. Përsëriteni këtë proces disa herë. • Mos harroni! Lëkura rreth syve tuaj është shumë e ndjeshme, prandaj përkujdesuni që të mos e fërkoni, gërvishtni, apo keqtrajtoni atë.

(Kosova Sot)