Gjejeni grimin ideal "smokey eye" për formën tuaj të syve
Çdo formë e syve kërkon një vendosje të ndryshme të hijes kozmetike Qoftë për dalje në mbrëmje, apo për ndonjë darkë solemne, "smokey eye" mund të jetë një përzgjedhje shumë e mirë. Popullariteti i kësaj mënyre të grimit nuk do të bjerë edhe për një kohë të gjatë. Për më tepër, kjo pamje tani nuk është e rezervuar vetëm për orët e mbrëmjes, por një version diskret përdoret edhe gjatë ditës. Për fillim përzgjidheni mënyrën ideale të grimit "smokey eye" për formën tuaj të syve, e më pas shikoni idetë se cilat ngjyra t'i kombinoni për një grim sensual "smokey eye".
SYTË MË TË LARGËT NGA NJËRI-TJETRI
Qëllimi është që sytë të 'afrohen' midis tyre, respektivisht që vizualisht, të zvogëlohet distanca midis tyre. Për këtë qëllim, nuancat më të errëta vendosni në këndin e brendshëm, e ato paksa më të çelëtat, në këndin e jashtëm të syve.
SYTË E THEKSUAR, TË NXJERRË JASHTË
Vendoseni një linjë më të trashë me tush, apo laps për sy përgjatë qerpikëve të kapakut të epërm dhe nuancën më të errët në mes të kapakut.
KAPAKËT E LËSHUAR
Evitojeni vendosjen e hijeve të errëta në tërë kapakun, por vetëm në palë dhe mbi palën e kapakëve të syve. Përdoreni "highlighter"-in në këndin e brendshëm të syve dhe nën palën e kapakut, në mënyrë që syri të duket më i hapur.
SYTË E DREJTUAR NGA POSHTË (KËNDI I JASHTËM I SYRIT SHKON POSHTË)
Ngriteni këndin e jashtëm të syrit me grimin e guximshëm 'cat eye'. Vendoseni linjën e errët me tush, me 'bishtin' i cili zgjatet edhe pas mbarimit të kapakut. Sa i përket hijes, ajo le të jetë graduale nga më e ndritshmja në këndin e brendshëm, deri te më e errëta në këndin e jashtëm të syrit.
SYTË E VENDOSUR THELLË
Balanconi vijat tuaja të fytyrës, duke i bërë sytë që të duken më të nxjerrë jashtë. Përdoreni "highlighter"-in në këndin e brendshëm të syve dhe hijen e ndritshme përgjatë tërë kapakut të epërm, deri te pala. Një nuancë më të errët përqendrojeni në këndin e jashtëm të syrit, mbi vijën e palosjes.
SYTË SI BAJAME, TË DREJTUARA NGA LART
Theksojeni formën tuaj natyrore ashtu që kapakun e ndani në dy pjesë, hijen më të ndritshme e vendosni në gjysmën e brendshme të syrit, e të errëtën në gjysmën e jashtme, por përzieni mirë në mënyrë që të mos vërehet kufiri.
SYTË E VENDOSUR AFËR NJËRI-TJETRIT
Përqendroni ngjyrat e ndritshme në këndin e brendshëm të syve, e ato të errëtat në pjesën e jashtme, duke vazhduar pak edhe pas përfundimit të kapakut.
(Kosova Sot)