PËRDORIMI I LËVORES DHE FARAVE TË SHEGËS NË KUJDESIN NDAJ LËKURËS

  • 11 November 2017 - 17:48
PËRDORIMI I LËVORES DHE FARAVE TË SHEGËS NË KUJDESIN NDAJ LËKURËS

Shega cilësohet si 'pema e parajsës' për shkak të numrit të madh të lëndëve ushqyese dhe një sërë përfitimesh shëndetësore, që kemi nga kjo pemë çudibërëse. Megjithatë, në të shumtën e rasteve pas konsumimit të shegës, e hedhim lëvoren. Mirëpo, është konstatuar që lëvorja e shegës përmban më tepër antioksidues sesa pjesa e brendshme e saj. Lëvorja e shegës është e pasur me antioksidues të ndryshëm si dhe me vitaminë C dhe E, që parandalojnë shfaqjen e rrudhave dhe lëshimin e lëkurës. Për më tepër, këta përbërës ju ndihmojnë që të arrini një lëkurë me më shumë shkëlqim dhe më të shëndoshë, transmeton gazeta Kosova Sot Online. Edhe farat e shegës sikurse lëvorja e saj janë të bekuara me cilësi për zbardhimin e lëkurës, andaj edhe shërbejnë si zbardhues natyralë të lëkurës. Lëvorja e shegës bën mrekulli në ruajtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit, duke ju mbrojtur nga rrezatimi i padëshiruar.

Maska me shegë dhe çaj të gjelbër

Çaji i gjelbër dhe shega janë të njohur si burime të pasura të antioksiduesve, andaj kjo është arsyeja pse kjo maskë e fytyrës ju ndihmon në rigjallërimin e lëkurës. Për më tepër, kjo maskë ju ndihmon edhe në zbardhimin natyral të lëkurës suaj. Copëtojeni mirë lëvoren e një shege mesatare dhe shtojani një lugë gjelle jogurt si dhe një lugë gjelle çaj të gjelbër, të freskët. Përzierjes shtojani edhe një lugë gjelle mjaltë dhe përzieni mirë të gjithë përbërësit, derisa të krijohet një pastë. Përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë dhe qafë dhe lëreni të qëndrojë për tridhjetë minuta, para se ta pastroni fytyrën.

Përdorimet më të përshtatshme të lëvores së shegës:

1. Për ta parandaluar shfaqjen e akneve dhe për t’i trajtuar shenjat e shfaqura në lëkurën e fytyrës, përzieni një sasi të vogël të pudrës së shegës me lëng limoni dhe jogurt. Pasi t’i keni përzier mirë të gjithë përbërësit, përdoreni përzierjen si maskë fytyre. 2. Për t’i reduktuar shenjat e pleqërisë, përzieni pudrën e një shege me qumësht, derisa të krijohet një pastë homogjene. Nëse keni lëkurë të yndyrshme, në vend të qumështit përdorni lëng trëndafili. Përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë dhe qafë dhe lëreni të qëndrojë për pesëmbëdhjetë minuta. Përsëriteni procesin dy herë në javë për efekt maksimal. 3. Aplikimi i lëvores së shegës shërben për hidratimin e lëkurës duke e mbajtur lagështinë brenda, për të krijuar kështu një lëkurë më të butë. Për më tepër, lëvorja e shegës mbron lëkurën tuaj nga rrezet e dëmshme ultraviolete. 4. Përzieni pudrën e një shege me mjaltë, sheqer ngjyrë kafe dhe pak qumësht dhe përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë të larë e të lagët, duke i bërë masazh nëpërmjet lëvizjeve rrethore të dorës. Në këtë mënyrë ju do të çliroheni nga qelizat e vdekura të lëkurës. 5. Për ta krijuar kremin më të fuqishëm kundër rrezeve të dëmshme të diellit përzieni pudrën e shegës me zbutësin tuaj të preferuar dhe përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë 20 minuta para se të dilni nga shtëpia.

Ja si mund ta krijoni pudrën e shegës

1. Merrni 4-5 shega, ndajini në mes dhe largoni farat në tërësi; 2. Copëtojini mirë lëvoret e shegëve; 3. Vendosini copëzat e imtësuara në një leckë dhe vendosini në një vend ku janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit dhe lërini deri sa të thahen krejtësisht; 4. Pasi që copëzat e imtësuara të jenë tharë krejtësisht, copëtojini edhe më imët dhe vendosini në një kavanoz qelqi, për përdorim të herëpashershëm.

(Kosova Sot)