KËTA JANË TRENDËT E GRIMIT QË DO TË MBIZOTËROJNË KËTË SEZON - Femra - Kosova Sot
KËTA JANË TRENDËT E GRIMIT QË DO TË MBIZOTËROJNË KËTË SEZON

KËTA JANË TRENDËT E GRIMIT QË DO TË MBIZOTËROJNË KËTË SEZON

Këtë vjeshtë dhe dimër, ekspertët e grimit sugjerojnë dukje sa më natyrale, sidomos kur bëhet fjalë për kombinimet ditore. Në trend janë tonet e arta për sy, tonet vjollcë në faqe, me ngjyrë të frutave të malit dhe ngjyrat neutrale në buzë. Në rrugë këtë vjeshtë dhe dimër do të shohim grim minimal. Lehtë e quajnë edhe "no make up look", e për një dukje si kjo duhet ndarë një periudhë të caktuar kohore për të arritur efektin e dëshiruar. Derisa vitin e kaluar kanë dominuar buzëkuqit pa shkëlqim, pos tyre sivjet kthehet edhe shkëlqyesi për buzë. Kryesisht në trend janë ngjyrat e frutave të malit, qofshin pa shkëlqim apo me të, derisa gjatë ditës mjafton të aplikoni krem ushqyes për buzë, shkëlqim neutral, në mënyrë që buzët tuaja të duken më të plota. Pos buzëkuqit, theksimi sivjet shkon edhe për qerpikët. Dukja e inspiruar nga të gjashtëdhjetat mund të arrihet me disa shtresa cilësore të maskarës. Krahas kësaj, në trend janë edhe vetullat neutrale, paksa jo mirë të rregulluara, prandaj harroni ndukjen e tyre dhe lini të rriten. Mund t'i plotësoni me xhel në ngjyrën e nuancave natyrale të vetullave tuaja. Nëse keni vetulla tatuazh, mbushini me xhel aty ku mungojnë qimet e kurrsesi mos i vizatoni përtej hapësirës së tyre. Për ta kthyer freskinë në fytyrë shtoni pak bojëkuq rozë, e freskinë e kthen edhe theksuesi në pjesë të caktuara të fytyrës. Natyrisht, pasi po ofrohemi sezonit të festave të fundvitit lejohet më shumë shkëlqim dhe më shumë theksues. 

(Kosova Sot)

5 orë e 19 minuta më parë
25/09/18