Ana negative e preparateve kundër plakjes së lëkurës

  • 02 August 2015 - 15:20
Ana negative e preparateve kundër plakjes së lëkurës

Gjëja më e mirë, të cilën femrat në vitet e njëzeta dhe në fillim të viteve të tridhjeta mund ta bëjnë, për lëkurën është që t’i shmangin cigaret, diellin e fortë dhe të përdorin rregullisht krem me faktor mbrojtës 30, tërheqin vërejtjen dermatologët. Pirja e duhanit e ngadalëson prodhimin e kolagjenit, për shkak të së cilës gjë lëkura plasaritet dhe krijohen rrudhat. Në kombinim me ekspozimin më të madh ndaj diellit rreziku nga rrudhat e parakohshme rritet për dhjetë herë.

Përbërësit e kremrave kundër plakjes   

Kompanitë e mëdha të kozmetikës pohojnë se preparatet kundër plakjes së lëkurës e shpejtojnë përtëritjen e qelizave dhe nxisin prodhimin e kolagjenit, por për këtë nuk ekzistojnë dëshmi të besueshme shkencore. Meqë bëhet fjalë për kujdesin ndaj lëkurës, Agjencia Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe nuk bën testime rigoroze sikur te ilaçet. Përbërësit kryesorë të kremrave kundër plakjes së lëkurës, liposomet, shpërndahen qysh në kontaktin e parë me lëkurën, kanë vërtetuar shkencëtarët danezë. Ato nuk janë të plota, pra nuk mund të depërtojnë në lëkurë dhe ta nxisin prodhimin e kolagjenit, i cili jep elasticitet, siç pohojnë kompanitë kozmetike. Përveç kësaj, në vitet e njëzeta lëkura përtërihet me lehtësi dhe nuk ka nevojë për ndihmë shtesë. Kremrat kundër plakjes së lëkurës për këtë arsye munden vetëm të shkaktojnë ngacmim, rrisin sekretimin e vajit dhe ta bëjnë lëkurën të ndjeshme ndaj diellit.

Retinoli dhe zgjedhja e kremit të duhur

Në vend të preparateve kundër plakjes së lëkurës zgjedhje më e mira janë kremrat dhe serumet në bazë të vitaminave C dhe E, çajit jeshil, niacinamideve dhe acidit alfa lipoik. Kremrat e tilla hidratuese e reduktojnë shkatërrimin e qelizave, të cilin e shkaktojnë rrezet e diellit dhe papastërtitë e ndryshme të përditshme. Në vitet e njëzeta përveç kremrave për rrezitje, ndihmon edhe retinoli, i cili i redukton aknet, vizualisht zvogëlon poret, njëtrajtëson tenin e lëkurës dhe e forcon atë. Ia vlen që gradualisht të përfshihet në regjimin ditor të kujdesit, sepse lëkura mësohet ngadalë me të. Për këtë arsye në javët e para të përdorimit janë të mundshme skuqjet dhe thatësia. Nuk u rekomandohen megjithatë, shtatzënave dhe femrave që ushqejnë fëmijët me qumësht të gjirit.

Muskujt dobësohen për shkak të botoksit

Përdorimi i tepërt i botoksit mundet të shkaktojë atrofi të muskujve dhe ta bëjë fytyrën më të vjetër se që është, përkundër faktit që nuk shihen rrudhat. Lëkura thjeshtë do të varet, pohojnë dermatologët. Mu për shkak rekomandojnë shmangien e botoksit në vitet e njëzeta. “Jetojmë në kohën e ‘Photoshop’-i dhe për këtë arsye nuk është çudi që vajzat mendojnë që të gjitha yjet nuk kanë rrudha. Ato shkojnë në ordinancë dhe dëshirojnë fytyrë të “hekurosur”, e cila në realitet as që ekziston”, ka thënë Dr. Adam Friedman, dermatolog në Fakultetin Amerikan të Mjekësisë ‘Albert Einstein’. 

(Kosova Sot)