Ushqimet më të përshtatshme për maskat e fytyrës

  • 03 August 2015 - 13:33
Ushqimet më të përshtatshme për maskat e fytyrës

Disa nga ushqimet më të mira për krijimin e maskave për fytyrë gjenden në frigoriferin tuaj. Në fakt, krijimi i maskave për fytyrë nga ushqimet nuk është risi, mirëpo më poshtë i kemi renditur disa nga ushqimet më të përshtatshme për maskat e fytyrës.

1. Bananet

Bananet janë pemë të mrekullueshme! Përveçqë janë të mira të konsumohen gjatë periudhës së ciklit menstrual, bananet janë shumë të dobishme për krijimin e maskave të fytyrës për shkak të vitaminave A dhe E, të cilat bëjnë që lëkura e fytyrës suaj të mbetet e butë. Shtypni bananen dhe pastaj vendoseni në fytyrë për ta lënë 10-20 minuta dhe përfundimisht pastrojeni fytyrën me ujët ë ftohtë.

2. Avokado

Avokadot janë aq të shijshme saqë dikush mund ta konsiderojë mëkat përdorimin e tyre për krijimin e maskave të fytyrës, mirëpo avokadot janë shumë të dobishme për lëkurën. Merrni një gjysmë avokado dhe pasi ta keni shtypur përzieni me një lugë çaji vaj ulliri dhe më pas vendoseni atë në fytyrë. Pasi ta keni lënë fytyrën që të thithë lëngun e avokados për 15 minuta, pastrojeni për të shijuar lëkurën e butë me shumë shkëlqim.

3. Mjalti

Mjalti bën pjesë në ushqimet që kanë përdorim të gjerë andaj nëse jeni duke kërkuar një produkt për të krijuar maskë për trajtimin e akneve apo për zbutjen e lëkurës së tharë, atëherë mjalti është produkti më i mirë që mund ta gjeni. Nëse jeni adhuruese të vaskave, vetëm hidhni dy gota mjaltë në vaskë nëse dëshironi të fitoni lëkurë të butë në gjithë trupin.

4. Tërshëra

Tërshëra është shumë e mirë në trajtimin e lëkurës së thatë, andaj është pothuajse e domosdoshme të filloni me përdorimin e tërshërës në krijimin e maskave të fytyrës. Tërshëra është një zbutës natyral, i cili bën që lëkura të fillojë me prodhimin e yndyrës në nivel të mjaftueshëm. Për të krijuar maskë për fytyrë nga tërshëra përzieni me qumësht apo me ujë të vakët para se ta vendosni në fytyrë për 10 minuta.

5. Dredhëzat

Një tjetër pemë, e cila ka përdorim të gjerë, është dredhëza. Dredhëzat mund të përdoren për zbardhimin e dhëmbëve, trajtimin e akneve, si dhe pastrimin e lëkurës. Për krijimin e maskës për fytyrë nga dredhëzat e tëra që ju duhet ta bëni është që të shtypni një sasi dredhëzash para se t’i vendosni ato në fytyrë. Pasi ta keni pastruar fytyrën do të fitoni një lëkurë të butë dhe me shkëlqim.

6. Jogurti

Nëse jeni duke kërkuar një mënyrë me çmim të lirë për trajtimin e poreve, zgjidhja nuk është më larg se frigoriferi juaj. Maska për fytyrë e krijuar nga jogurti është shumë e mirë për pastrimin e lëkurës dhe trajtimin e thellë të akneve. Thjesht, aplikoni jogurt në fytyrë dhe pas 10-15 minutash pastrojeni fytyrën me ujë të vakët për të parë më pas efektin e mrekullueshëm të jogurtit.

7. Vaji i ullirit

Sa herë që flitet për maskat e fytyrës assesi nuk duhet anashkaluar vaji i ullirit. Ky vaj i shëndetshëm është i mrekullueshëm për largimin e grimit të syve, zbutjen e lëkurës dhe për trajtimin e djegieve nga dielli. Vaji i ullirit mund të përdoret vetëm apo në kombinim me avokado dhe në të dyja mënyrat ka efekt të mrekullueshëm për trajtimin e lëkurës së fytyrës. (Kosova Sot)