Jeni shtatzënë? Ja pozicioni i saktë si të vendosni rripin e sigurimit

  • 24 January 2018 - 14:18
Jeni shtatzënë? Ja pozicioni i saktë si të vendosni rripin e sigurimit

“Jam shtatzënë,  nuk e kam rripin e sigurimit”, është ky justifikimi që  shtatzënat u japin punonjësve të policisë. Por mjekët gjinekologë e hedhin poshtë këtë pretendim sepse sipas tyre rripi i sigurimit nuk e dëmton fëmijën në bark.  Vendosja e rripit të sigurimit është gjithmonë e nevojshme si në rastin kur lëvizni brenda qytetit ashtu edhe kur kryeni udhëtime të gjata.  Rripi i sigurimit duhet të vendoset patjetër si në rastin kur gruaja shtatzënë është në sediljen e shoferit apo në atë të pasagjerit.
Në rastin e një aksidenti të mundshëm automobilistik, problemi kryesor është përplasja e barkut me timonin e makinës, e cila mund të shkaktoj pasoja fatale.
Rripi i sigurimit tek një grua shtatzënë duhet të vendoset në pjesën e poshtme të barkut dhe të kalojë në drejtim të kockës së legenit, ndërsa pjesa diagonale në mes të kraharorit.
A duhet të drejtojë makinën një grua shtatzënë?
Për sa kohë shtatzania ecën mirë, drejtimi i automjetit nuk përbën problem për gruan apo për bebin.
Kohëzgjatja e drejtimit të mjetit nuk duhet t’i tejkalojë 2-3 orë, pas kësaj këshillohet që shtatzëna të pushojë. Edhe në rastin kur mjetin e drejton dikush tjetër rekomandohet që shtatzëna të bëj disa hapa rreth e rrotull makinës, në mënyrë që të përmirësohet qarkullimi i gjakut në gjymtyrët e poshtm.e
Kur një shtatzënë nuk duhet t’i japë makinës?
Në tremujorin e parë kur shtatzënia mund të ketë të përziera, të vjella të shpeshta apo lodhje dhe përgjumje këshillohet të kufizohet drejtimi i makinës.
Të evitohet drejtimi i automjetit në muajt e fundit të shtatzënisë kur përmasat e barkut janë rritur dhe distanca me timonin është zvogëluar. Në qoftë se shtatzënia juaj ecën mirë dhe gjendja është e qëndrueshme mos hiqni dorë nga të qenit shofere. Por, mos u përkëdhelni, përdoreni gjithmonë rripin e sigurimit dhe mos udhëtoni në distanca më shumë se 2-3 orë.

(Kosova Sot)