Produktet për mbulimin e thinjave në rrënjët e flokëve

  • 27 January 2018 - 08:26
Produktet për mbulimin e thinjave në rrënjët e flokëve

T hinjat në flokë përbëjnë njërën prej shenjave të para të pleqërisë dhe ato kryesisht janë më të dukshme në rrënjët e flokëve. E, nëse dëshironi t’i rralloni vizitat te stilisti juaj i flokëve, atëherë ndiqni këshillat e mëposhtme, që ju ndihmojnë në mbulimin e thinjave në rrënjët e flokëve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Ngjyrat gjysmë-permanente

Njëra nga alternativat më efikase është përdorimi i ngjyrave gjysmë- permanente në rrënjët e flokëve, menjëherë pasi që të kenë filluar të shfaqen thinjat. Duke vepruar kësisoj ju ia shtyni vetes shkuarjen në sallon të bukurisë pasi ngjyra në rrënjë të flokëve qëndron për rreth 3-4 javë.

2. Produktet në formë pudre

Produktet e tilla janë shumë të ngjashme me grimin që e aplikoni në fytyrë. Pra, është fare e thjeshtë, vetëm merrni pak pudër dhe me të e maskoni pjesën e rrënjëve të flokëve, ku kanë filluar të shfaqen thinjat. Natyrisht, kjo nuk është zgjidhje e përhershme, pasi që është e qëndrueshme deri në pastrimin e flokëve.

3. Përdorni sprej me ngjyrë

Spreji i flokëve me ngjyrë është një produkt që ka gjetur përdorim të gjerë kohëve të fundit, pasi që është një alternativë tejet e përshtatshme për mbulimin e thinjave në rrënjë të flokëve. E tëra që duhet të bëni është ta aplikoni pak sprej në rrënjë, në momentin e parë kur fillon të venitet ngjyra dhe si rezultat do të fitoni flokë që duket sikur janë ngjyrosur dje, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

4. Përdorni hijezues të syve

Nëse nuk keni ndonjë zgjidhje tjetër, atëherë mund të përdorni hijezues të syve, që ka nuancë të ngjashme me ngjyrën e flokëve tuaj. Hijezuesin e syve në rrënjë të flokëve aplikojeni me brushën me të cilën e aplikoni bojëkuqin, mirëpo sigurohuni që do ta pastroni brushën, para se ta përdorni përsëri në aplikimin e grimit.

5. Përdorni aksesorë flokësh

Nëse gjithçka tjetër dështon, atëherë ‘shpëtimin’ duhet ta kërkoni tek aksesorët e flokëve, për t’i mbuluar thinjat. Shiriti dekorativ është alternativa më e përshtatshme, megjithatë mund t’i përdorni edhe karficat, për t’i kthyer flokët në pozita, që ju ndihmojnë t’i fshihni thinjat.

(Kosova Sot)