E bukur në katër stinë të vitit / Çfarë nuk duhet të përdorim dhe faktorët që i bëjnë keq lëkurës

  • 27 January 2018 - 09:40
E bukur në katër stinë të vitit / Çfarë nuk duhet të përdorim dhe faktorët që i bëjnë keq lëkurës

Lëkura është në gjendje të ndiejë çdo ndryshim të stinëve. Përveç stresit emocional, lëkura pëson dhe ngacmime të jashtme. Ndryshimet e temperaturës dhe lagështisë, elementët atmosferikë si shiu, era, dielli ose i ftohti, nuk ndihmojnë sigurisht në ekuilibrin normal të epidermës. Po të shtosh dhe lënien pas dore apo zgjedhjet sipërfaqësore të kurave dhe produkteve kozmetike, rezultati do të ishte: lëkurë e zbehtë dhe e papastër 365 ditë në vit. Por gjithmonë ka një zgjidhje. Ndiqni programin tonë të rigjenerimit.

Trajtim në tri faza

Një nga gabimet më të zakonshme në trajtimin dhe pastrimin e lëkurës është përdorimi për një kohë të gjatë i së njëjtës linjë produktesh. Qumështi, toniku, kremi i ditës dhe i natës zëvendësohen vetëm kur flakoni boshatiset. Në të vërtetë, për çdo stinë duhet të përshtaten kurat që përdoren për trupin dhe fytyrën. Në qoftë se në dimër shkon shumë mirë një përbërje më e ngjeshur, në verë përshtatet më mirë një hidratues i hollë. Në vjeshtë dhe pranverë, që janë stinë të ndërmjetme, duhet favorizuar rigjenerim i qelizave të epidermës nëpërmjet pastrimeve të thella, hidratimit, kurave, masazheve dhe maskave specifike.

Faza e parë: Pastrimi

Lëkura shfaqet shpesh si e mbuluar me një cipë opake që ul shkëlqimin dhe vë në dukje defektet. Kryesisht, pas një vere “det dhe diell’, lëkura është e zbehtë dhe kur nxirja nga dielli nis të largohet, lëkura merr një ngjyrë vërtet të papëlqyeshme. Për të larguar stresin nga fytyra duhet para së gjithash një pastrim i mirë.

Për të paktën një javë është i nevojshëm përdorimi i një detergjenti të mirë sapuni, i cili i vendosur në një gomë të butë dhe i lagur më ujë mund të shërbejë si pastrues shumë i mirë. Veprimi duhet përsëritur çdo mëngjes dhe mbrëmje për shtatë ditët e para dhe duhet vazhduar gjithë muajin vetëm në mbrëmje. Në qoftë se dëshironi, mund të siguroni një pastrim të mirë me mënyrat e vjetra, por të vlefshme shtëpiake.

Pasi pastrohet fytyra në thellësi, kalon mbi të një tampon pambuku të zhytur në tonik. Pastaj e lë të thahet vetë dhe ditën vendos një krem hidratues, kurse natën një krem ushqyes.

Faza e dytë: Trajtime specifike

Mbi një lëkurë plotësisht të pastër çdo trajtim kozmetik jep rezultate optimale. Është e rëndësishme të zgjedhësh produktin specifik më të përshtatshëm për nevojat e lëkurës. Para së gjithash duhet të dish ç’lloj produkti të zgjedhësh dhe ku. Ekzistojnë mundësi të ndryshme: Nga produkti natyral, tek ai industrial, nga preparati bimor tek ai kozmetik, nga parfumeria te farmacia…ajo që ka rëndësi është që në rafti mos të mungojë gjë. Më të rëndësishmit janë qumështi dhe toniku, të pazëvendësueshëm për pastrimin e lëkurës. Këtyre mund t’u shtohet një pastrues truku për sytë dhe buzët, i nevojshëm për të hequr buzëkuqin që qëndron gjatë dhe rimelin rezistent ndaj ujit, dhe në rast se nuk duam t’i mungojë gjë repartit “pastrimi i parë”, mund të sprucojmë mbi fytyrën, qafën dhe zonën e dekoltesë me ujë termal, që do të japë një ndjenjë të menjëhershme freskie.

Për pastrimin e thellë nuk mund të mungojnë kremrat me grimca, maska, argjilë e blertë  dhe ndonjë esencë vajore për t’u përzier me argjilën. Nuk duhen nënvlerësuar avujt me bimë, që hapin poret duke ndihmuar lëkurën të nxjerrë papastërtitë, pa harruar që në të njëjtën kohë barërat ndihmojnë për zbutjen e irritimeve të lëkurës.

Për të përftuar efektet maksimale të avujve, në një enë më ujë të vluar hidhen bimët e marra në dyqanin e kozmetikës (të cilat janë përzgjedhur më parë sipas llojit të lëkurës). Pasi mbulohet kokë me një peshqir, është e këshillueshme që të qëndrosh mbi enë për rreth 10 minuta, duke u përpjekur që avulli të bjerë drejtpërdrejt mbi fytyrë.

Ndërmjet bimëve që shërbejnë si detergjent mund të shërbejë kamomili, si freskues do të ishte iedal limoni, gjethet e mentes dhe portokalli i hidhur, kurse për shenjat mund të përdoret një bimë e veçantë që quhet  ylang ylang.

Faza e tretë:  Dieta kozmetike

Gjithsesi bukuria vjen gjithmonë nga brenda. Ja përse për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe me shkëlqim nuk mjaftojnë vetëm trajtimet e jashtme. Në pjesën më të madhe të rasteve një çrregullim i të ushqyerit ose një dietë e varfër në vitamina ose kripëra minerale, qëndrojnë në themel të problemeve më të zakonshme të lëkurës. Lëkura e yndyrshme ose e papastër është simptoma më e dukshme e një të ushqyeri jokorrekt, të pasur me ushqime të yndyrshme dhe shumë të përpunuar, ashtu siç lëkura e zbehtë është sinonim i mungesës së vitaminave. Mjafton të ndryshosh regjimin e ushqimit për të parë efektet e para mbi lëkurë. Mbi të gjitha pini shumë ujë, shtoni perime të freskëta në çdo vakt, zvogëloni sasinë e substancave të përpunuara dhe pijeve alkoolike. Mundësisht hani ushqime të pasura me fibra, kos, fruta të freskëta dhe drithëra. Ideale do të ishte përdorimi i disa përzierjeve bimësh të përgatitura enkas. Shumë nga ato rezultojnë, përveçse të efektshme, edhe shumë të pëlqyeshme, sidomos në dimër kur janë të ngrohta.

(Kosova Sot)