Maskat natyrale për fytyrë, që krijohen me vetëm një përbërës

  • 23 February 2018 - 09:41
Maskat natyrale për fytyrë, që krijohen me vetëm një përbërës

Nganjëherë nevojitet më shumë sesa thjesht një kujdes ndaj lëkurës për ta fituar një lëkurë të shëndoshë e joshëse. E, njëra nga mënyrat më të përshtatshme për t'u kujdesur për lëkurën është ta trajtoni atë me produkte krejtësisht natyrale, nëpërmjet krijimit të maskave, që nuk kërkojnë më shumë se një përbërës, raporton Gazeta Kosova Sot

1. MJALTI Mjalti është njëri nga përbërësit më të mirë për mirëqenien e lëkurës suaj. Mjalti ka veti antioksiduese dhe antibakteriale dhe si i tillë ju ndihmon në rikthimin e shkëlqimit të humbur të lëkurës suaj, si dhe ndihmon në pastrimin e thellë të poreve. Për më tepër, mjalti luan një rol të rëndësishëm edhe në zbutjen dhe hidratimin e lëkurës. Filloni me lagien e lëkurës me ujë të vaktë, para se ta aplikoni mjaltin dhe ta lini që të qëndrojë për rreth 30 minuta. Përfundimisht, pastrojeni fytyrën me ujë të vaktë për ta hequr mjaltin dhe më pas trajtojeni fytyrën edhe me ujë të ftohtë për t'i mbyllur poret.

2. TËRSHËRA Tërshëra, përveçqë njihet si një ushqim i shëndetshëm, luan një rol të rëndësishëm edhe në trajtimin e lëkurës së fytyrës. Tërshëra është e rëndësishme sidomos për trajtimin e lëkurës së ndjeshme, që shpeshherë bie pre e akneve të padëshiruara. Për ta nxjerrë rezultatin maksimal, sigurohuni që të përdorni tërshërë organike. Thjesht, përzieni ujin me tërshërë dhe përzierjen e fituar aplikojeni gjithandej nëpër fytyrë. Lëreni maskën që ta kryej punën e vet për 30 minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të vakët. Përfundimisht trajtojeni lëkurën me ujë të vakët dhe thajeni

3. TË KUQTË E VEZËS Nëse lëkura juaj është e ndjeshme dhe vuani nga shfaqja e shpeshtë e akneve dhe shenjave tjera, atëherë zgjidhja më e mirë për ju është maska e fytyrës me të kuqtë të vezës. Të kuqtë e vezës janë të pasur me vitaminë A dhe ndihmojnë në luftimin e baktereve që shkaktojnë shfaqjen e akneve. Për më tepër, të kuqtë e vezës luan një rol të rëndësishëm edhe në hidratimin dhe zbutjen e lëkurës. E tëra që duhet të bëni është t'i tundni të kuqtë e dy vezëve dhe me përzierjen e fituar ta trajtoni fytyrën. Lëreni maskën që ta kryej punën e vet për rreth 30 minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të ftohtë. Gjithsesi, mos i hidhni të bardhtë e vezëve, pasi që ju duhen për maska të tjera.

 4. TË BARDHTË E VEZËS Femrat me pore të gjera dhe lëkura të lëshuara kanë më së shumti nevojë për maskën e fytyrës të krijuar nga të bardhtë e vezëve. Kjo pasi që të bardhtë e vezëve ndikojnë në tërheqjen e lëkurës dhe stimulojnë rikthimin e elasticitetit të humbur të lëkurës. Për më tepër, të bardhtë e vezës janë të pasur edhe me vitamina e minerale, të cilat automatikisht transferohen në lëkurë. Përzieni të bardhtë e dy vezëve dhe përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurë, duke shmangur pjesët përreth syve dhe gojës. Lëreni maskën që ta kryejë punën për rreth 10-15 minuta dhe lëreni deri sa të thahet plotësisht, para se ta pastroni fytyrën fillimisht me ujë të vaktë e më pas edhe me ujë të ftohtë.

5. JOGURTI Jogurti është i pasur me lëndë ushqyese si acide, vitamina B, zink dhe kalcium dhe si i tillë i sjell përfitime të shumëfishta lëkurës suaj, përfshirë këtu edhe reduktimin e shenjave dhe rrudhave si dhe ngushtimin e poreve e hidratimin e lëkurës në tërësi. Thjesht, mbulojeni gjithë fytyrën me jogurt dhe lëreni në kontakt me lëkurën për 10-15 minuta, derisa të thahet jogurti dhe përfundimisht pastrojeni dhe thajeni lëkurën.

 6. AVOKADO Për të fituar lëkurë më të butë dhe më të shëndoshë, trajtojeni me avokado! Kjo pasi që avokado është i pasur me antioksidues e minerale, që ua mundësojnë të keni lëkurë më të shëndoshë dhe më të bukur. E tëra që duhet ta bëni është ta shtypni ¼ e një avokadoje dhe masën e fituar ta shpërndani në mënyrë të barabartë në lëkurë, para se të lini që të qëndrojë për 10-15 minuta. Përfundimisht, pastrojeni fytyrën me ujë të vakët para se ta thani.
 

(Kosova Sot)