TRENDËT E RINJ TË GRIMIT PËR PRANVERËN 2018

  • 17 March 2018 - 08:29
TRENDËT E RINJ TË GRIMIT PËR PRANVERËN 2018

Tashmë kur dielli po shfaqet më shpesh dhe u ka sjellë gëzim e lumturi ditëve tona, u ka dhuruar ngjyra kombinimeve tona dhe mendjen na e ka dërguar te lulet, është koha që të merremi edhe me temën se çfarë lloj grimi do të aplikohet në këtë pranverë

"SMOKEY EYES" VJOLLCË DHE FAQET E KUQE

Tashmë përfundimisht e kemi të qartë se ngjyra vjollcë, sidomos nuancat e saj prej livandës këtë vit do të jenë trendi numër një. Kështu, livanda në botën e modës është një "must have", por nuk dallon as kur bëhet fjalë për grimin. Tashmë është shkruar për 'highlighter'-in vjollcë si hit në grim të cilin e ka paralajmëruar Rihanna, e tashmë kemi nderin t'jua bëjmë me dije se nuancat vjollcë të syve në teknikën "smokey eyes" përfundimisht do të dominojnë. Lirisht përdorni më shumë nuanca të hijes vjollcë. Kur bojëkuqi është në pyetje, "faqet e kuqe" është dukja që këtë pranverë do të kërkohet. Tonet rozë do të janë në trend. Sidomos kjo ju shkon zonjave me ten më të zbehtë. Zgjidhni tone më të buta rozë dhe i aplikoni në faqet tuaja, kah maja e hundës, e butësisht kaloni edhe sipër buzëve. 

HIJA E KALTËR METALIKE PËR SY DHE 'EYELINER'-I

Nëse jeni adhurues të ngjyrës së kaltër mbretërore, si dhe grimit pak më të theksuar, sidomos kur sytë janë pyetje, atëherë për juve kemi një lajm të shkëlqyeshëm. Këtë pranverë sidomos do të jenë aktuale hijet metalike të kaltra me shkëlqim. Po ashtu, do të ishte mire të keni edhe një 'eyeliner' të kaltër për të arritur efektin e njëjtë, të cilin mund ta aplikoni lirisht edhe në variantet ditore.

HIJET PASTELE PËR SY DHE TONE NJËNGJYRËSHE TË GRIMIT

Me sa duket, fjala pastele është shenja mbrojtëse e kësaj pranvere. Sikur çdo vit, edhe këtë vit, nuk do të gaboni me nuancat pastele kur në pyetje janë hijet për sy. E, kur teknika e grimit është në pyetje, ju propozojmë të theksoni krejt kapakun e syve he kështu të arrini stilin e grimit të viteve të shtatëdhjeta. Po ashtu, po pëlqehet trendi i toneve të ekuilibruara në grimin e fytyrës, sidomos në nuancat e kajsisë, për t'u theksuar linja e feminitetit. 

BUZËKUQI I ERRËT PËR BUZË

Shumica do të mendonin që pranvera është koha e duhur për buzëkuqët neutralë, por ekspertët e grimit kësaj radhe mendojnë më ndryshe. Ngjyra e errët e tyre, sidomos ato që kombinojnë ngjyrat e qershisë dhe të zezës këtë pranverë, sidomos do të jenë tërheqës. Ne ju propozojmë që një dukje si kjo ta ruani për raste të mbrëmjes, e në rastet ditore të përcaktoheni për tone më të qeta.

NGJYRA E ARTË DHE 'EYELINER'-I I VERDHË NË SY

Dhe për fund, diçka që do të jetë interesante. Nëse nuk keni ndonjë frymëzim si të bëni grimin këtë pranverë, e ato paraprake nuk ju kanë tërhequr, ndoshta frymëzimin duhet ta gjeni në anën e ngjyrave të arta dhe xhinglave, t'i vendosni në kapakët e syve, që me këto hije në pluhur të theksoni sytë tuaj, e grimit t'i jepni pak shkëlqim. Dhe, nëse nuk ju pengon të jeni krejt më ndryshe, atëherë 'eyeliner'-i i verdhë është një prodhim tjetër në listën tuaj të grimit që duhet ta provoni këtë pranverë.

(Kosova Sot)