Gjashtë ushtrime, të cilat e përshpejtojnë metabolizmin

  • 17 April 2018 - 08:25
Gjashtë ushtrime, të cilat e përshpejtojnë metabolizmin

Nëse doni që ta përshpejtoni metabolizmin, atëherë me rëndësi është që të ushtroni çdo ditë, mundeni edhe në shtëpi, pa shkuar në palestër. Tani, kur është avitur koha e pushimeve verore, ia vlen që të ushtrojmë që të kemi një trup sa më të bukur, por edhe për humbjen e kileve të tepërta. Ja disa ushtrime që ju ndihmojnë në këtë aspekt, duke e rritur metabolizmin 

1. Ngritja e thembrave

Ky është një ushtrim tepër i lehtë, që mund ta bëni kudo dhe kurdo, bile edhe në shtëpi. Duhet që të qëndroni me shpinën tërësisht të drejtë. Ngrini thembrat në drejtim të vitheve, pa e lakuar shpinën, sikur të bëni "jogging" në një drejtim. Qëllimi i këtij ushtrimi është që gradualisht ta shtoni intensitetin. 

2. Rrathët me shpejtësi

Ky është një ushtrim më i avancuar sesa ai parapraku, meqë do të keni nevojë për ca kone të vogla apo për objekte tjera rreth jush. Duhet që, të paktën, të jenë 5 objekte dhe ju duhet t'i ndani ato me hapësirë të mjaftueshme, sa që të mund të kaloni midis tyre me lëvizje të shpejta zigzage. Nëse doni që ky ushtrim të jetë më efikas, atëherë vraponi përparaprapa. 

3. "Pompat" ("Push ups")

Është një ushtrim i thjeshtë, i cili kërkon një sipërfaqe të rrafshët. Ky është po ashtu një ushtrim i forcës, që përshpejton metabolizmin. Duhet të shtriheni në dysheme, me fytyrë teposhtë, duke e ngritur trupin me anë të duarve. Ideale është që këtë ushtrim ta përsëritni disa herë, me rritje graduale të intensitetit. 

4. Ngritja e gjunjëve

Për ta bërë këtë ushtrim, shtrijuni në shpinë mbi një sipërfaqe të rrafshët. Pasi që ta keni marrë pozitën, lidhni lehtazi duart pas qafe. Tani duhet t'i afroni gjunjët kah gjoksi. Përsëriteni këtë ushtrim për, të paktën, një minutë, për ta fituar rezultatin më të mirë. Më pas ulni këmbët, pushoni paksa dhe më pas përsëriteni ushtrimin. 

5. Kërcimi i litarit

Është një ushtrim tejet i lehtë, meqë e keni bërë atë që nga fëmijëria, pa e ditur se sa i mrekullueshëm është për trupin tuaj. Krejt çka ju duhet, është një litar dhe pak motivim. Së pari duhet të kërceni me shputat e bashkuara, duke u munduar që gjunjët t'ju prekin në gjoks. Mund ta rrisni më pas vështirësinë, duke kërcyer me njërën këmbë, e duke pasuar me tjetrën pas 30 sekondash. 

6. Vallëzimi

Nuk e dimë se si e paramendoni ju vallëzimin, por ne e kemi fjalën për lëvizje intensive, në mënyrë që muskujt tuaj të ushtrohen deri në maksimum. Kur të bëni ushtrime, me rëndësi është që të mos e humbni durimin dhe të përsëritni ushtrimet çdo ditë. Po ashtu, mos harroni që të pini ujë, në mënyrë që të mos dehidratoheni. Pra, sa më parë jepni fund stilit pasiv të jetës dhe bëni këto ushtrime të thjeshta në shtëpi, pa harxhuar para dhe kohë në palestër.