TETË SIMPTOMA QË NUK DUHET INJORUAR

  • 13 August 2018 - 15:36
TETË SIMPTOMA QË NUK DUHET INJORUAR

Ato që mund të duken shenja të vogla e të parëndësishme, mund të rezultojnë probleme të mëdha, andaj edhe duhet trajtuar me seriozitet. Më poshtë mund t'i gjeni disa simptoma, të cilat mund t'i keni edhe ju, mirëpo keni pasur turp t'i tregoni dikujt

DHIMBJET GJATË MARRËDHËNIEVE SEKSUALE

Vagjina shpeshherë mund të dhemb gjatë marrëdhënieve seksuale, çrregullim ky që njihet si 'dyspareunia' sipërfaqësore, gjë kjo që ndodh kur vagjina është tepër e tharë ose e pezmatuar. Lubrifikimi mund të ndihmojë. Për dallim nga 'dyspareunia' sipërfaqësore, që ndjehet në muret e vagjinës, 'dyspareunia' më e thellë shkakton dhimbje në abdomenin e ultë ose edhe në legen, çrregullim ky që kërkon vizitë tek profesionistët. Dhimbjet gjatë marrëdhënieve seksuale mund të shkaktohen edhe si pasojë e çrregullimit të njohur si 'vaginismus', që shkakton dhimbje si pasojë e shtrëngimit të muskujve përreth vagjinës. Trajtimi më i përshtatshëm për këtë problem është përdorimi i objekteve, që përdoren për zgjerimin e vagjinës.

GJAKDERDHJA

Përdorimi i çrregullt i tabletave kontraceptive mund të shkaktojë gjakderdhje sporadike, mirëpo, nëse gjakderdhja vazhdon edhe pasi që ta rregulloni marrjen e tabletave, rekomandohet vizita tek doktori. Marrja e këtyre tabletave mund të shkaktojë edhe çrregullim në ciklin menstrual ndërsa, nëse keni probleme me gjakderdhjen pas marrëdhënieve seksuale, rekomandohet ta vizitoni doktorin, pasi që kjo mund të jetë shenjë e kancerit.

RRJEDHJA E LËNGJEVE

Nga puberteti deri në menopauzë, rrjedhjet e lëngjeve nga vagjina janë normale, megjithatë sasia dallon nga femra në femër. Në ditët e para të ciklit menstrual, lëngu që rrjedh nga vagjina është i bardhë ose i verdhë, në formë kremi. Mirëpo, nëse lëngu në fjalë ka ngjyrë, ose është më i tepërt sesa zakonisht, atëherë ju mund të jeni prekur nga ndonjë sëmundje që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Pra, vagjina nxjerr lëngje për të qenë e shëndoshë, mirëpo, nëse sasia dhe ngjyra e lëngjeve ndryshon, atëherë shkoni për vizitë tek profesionisti.

GUNGAT E VOGLA NË LËKURË

Njëri nga shkaktaret më të mëdhenj të ngritjeve të lëkurës në pjesët intime është rritja e qimeve, e, për ta evituar një gjë të tillë, është e rëndësishme që t'i hiqni qimet me dyllë, në drejtimin që qimet rriten. Përdorimi i depilatorit nuk rekomandohet nëse jeni e ndjeshme në këtë drejtim, ndërsa, nëse edhe pasi që jeni e treguar e kujdesshme me heqjen e qimeve, vazhdoni të ndjeheni e irrituar nga ngritjet e lëkurës, vizitojeni doktorin.

KRUAJTJA E VAZHDUESHME

Shkaktari më i madh i kruajtjeve në pjesën intime është rrjedha e pakontrolluar e lëngjeve, megjithatë, ekzistojnë disa mënyra për trajtimin e këtij problemi. Fillimisht, pastrojini më shpesh pjesët intime si dhe vishni të brendshme prej pambuku, duke i shmangur edhe veshjet e ngushta. Mos u pastroni me ujë tepër të nxehtë dhe ndryshojeni detergjentin, nëse keni arsye për të besuar që infektimi është shkaktuar nga rrobat e brendshme.

THATËSIA

Pastrimi i ashpër, përdorimi i medikamenteve hormonale, gjidhënia si dhe përdorimi i medikamenteve tjera mund të kontribuojnë në atë që vagjina të ndjehet e tharë. E, gjëja më e mirë që mund ta bëni në këtë drejtim është të konsultoheni me profesionistin sa i përket përzgjedhjes së kontraceptivëve, deri sa t'i gjeni kontraceptivët që për efekt anësor nuk e kanë tharjen e vagjinës. Ndërsa, nëse problemi është shfaqur për shkak të moshës, atëherë është mirë nëse kërkoni zbutës vagjinal, lubrifikues apo tableta për trajtimin e hormoneve.

KUNDËRMIMI

Zhvillimi i baktereve në zonën intime, në rastet më të shpeshta, është shkaktar i aromës së pakëndshme, që lirohet nga ajo zonë. Nëse një gjë e tillë është bërë e zakonshme, rekomandohet këshillimi me profesionistin, ndërsa, për ta trajtuar kundërmimin, rekomandohet përdorimi i xhelit laktik. Një tjetër indikator, në parandalimin e aromës së keqe, është konsumi i ushqime të shëndetshme.

NDRYSHIMET NË URINË

Kur urinimi bëhet një proces që shkakton dhimbje, fajtori kryesor, zakonisht, është ndonjë infektim në urinë. Kjo gjë zakonisht mund të ndodhë gjatë seksit, andaj rekomandohet që të urinoni edhe para edhe pas marrëdhënieve seksuale, për t'i larguar kështu bakteret, që mund të kenë ngelur brenda. Edhe përdorimi i lubrifikantëve mund të ndihmojë në parandalimin e infektimit të urinës. 

 

(Kosova Sot)