Shtatë këshilla për aplikim të bojëkuqit

  • 28 August 2015 - 08:25
Shtatë këshilla për aplikim të bojëkuqit

Ju mund të mendoni që nuk keni nevojë për këshilla rreth aplikimit të bojëkuqit, mirëpo aplikimi i bojëkuqit është një proces shumë i komplikuar, pasi që fare lehtë ju mund të përfundoni me sasi të madhe të bojëkuqit apo me bojëkuq në vend të gabuar. Për t’i shmangur këto probleme, mundohuni t’i ndiqni këshillat e mëposhtme, transmeton Kosova Sot Online.

1. Nuanca e qëlluar

Këshilla e parë është përzgjedhja e nuancës së duhur, nuancës që i përshtatet më së miri lëkurës suaj. Qëllimi i bojëkuqit është t’i theksoni vijat e fytyrës e jo të krijoni kontrast, andaj, para se të blini bojëkuqin, sigurohuni që ai i përshtatet lëkurës suaj.

2. Mos përdorni shumë bojëkuq!

Zakonisht, sa më pak bojëkuq që të përdorni, aq më bukur do të dukeni. Nëse vendosni shumë bojëkuq, atëherë mund të dukeni si një palaço. Vendosni fare pak bojëkuq dhe nëse nuk jeni të kënaqur me dukjen tuaj, ju mund ta shtoni sasinë më vonë për të arritur dukjen që ju dëshironi.

3. Përdorni formulën e duhur!

Përdorimi i formulës së duhur do t’ju ndihmojë që bojëkuqi të ketë jetë më të gjatë. Bojëkuqi në formë kremi është më i përshtatshëm për femrat me lëkurë të thatë, ndërsa bojëkuqi në formë pudre i përshtatet më shumë femrave që kanë lëkurë të yndyrshme.

4. Mollëzat e faqeve

Zakonisht, pjesa më e përshtatshme për aplikimin e bojëkuqit është në mollëzat e faqeve. Mirëpo, nganjëherë mund të jetë shumë e vështirë të gjinden mollëzat. Për t’i gjetur më lehtë mollëzat e faqeve, buzëqeshni dhe ato do të shfaqen.

5. Brusha

Brusha, e cila zakonisht vjen bashkë me produktin, është e përshtatshme për dy-tri përdorimet e para, mirëpo është e rëndësishme që ju të investoni në një brushë të mirëfilltë për aplikimin e bojëkuqit. Brushat e lira zakonisht nuk japin rezultate të dëshiruara.

6. Lëvizjet rrethore

Mund të keni dëgjuar që mënyra më e përshtatshme për aplikimin e bojëkuqit është nga poshtë-lartë, mirëpo nëse veproni në këtë mënyrë, ju mund të përfundoni me vija të padëshiruara në fytyrë. Mënyra më e përshtatshme për aplikimin e bojëkuqit është që brusha të lëvizet në mënyrë rrethore.

7. Rendi i aplikimit të produkteve

Përfundimisht, është shumë e rëndësishme që produktet e kozmetikës të aplikohen në bazë të një rendi. Zakonisht bojëkuqi vendoset pas bazës. Nëse veprohet e kundërta, pra nëse aplikoni bojëkuqin para bazës rrezikoni që ta dëmtoni bojëkuqin.

(Kosova Sot)