Trendët e thonjve për sezonin vjeshtë-dimër

  • 09 October 2015 - 15:10
Trendët e thonjve për sezonin vjeshtë-dimër

Një detaj i rëndësishëm në dukjen e çdo femre është mënyra se si duken thonjtë, andaj çdo sezon prezantohen trendë të rinj të nuancave dhe formave të thonjve, që më pas shihen duke zbukuruar shumë femra. Më poshtë ua kemi sjellë trendët më të mëdhenj të thonjve për sezonin vjeshtë-dimër 2015-16

Kombinimi bardhezi

Kombinimi i ngjyrës së bardhë me ngjyrën e zezë në thonj ndër vite ka qenë njëri nga trendët më të mëdhenj të sezonit të pranverës dhe verës, mirëpo gjatë këtij viti këtë kombinim do ta shohim shpesh edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe atë të dimrit. Në fakt, ky trend i thonjve ka qenë njëri nga trendët që është parë më së shpeshti në revytë e modës.

Image

Llaku me ngjyrë mat

Shumica e ngjyrave të llakut të thonjve kanë shkëlqim, mirëpo edhe ngjyrat mat, sidomos kohëve të fundit, kanë gjetur përdorim të gjerë. Një gjë që ka rënë në sy në revytë e modës për sezonin vjeshtë-dimër ka qenë përdorimi i madh i ngjyrave të tilla, andaj, nëse nuk keni llak të tillë thonjsh, sigurojeni një.

Image

Manikyri me ngjyrë të kaltër

Përveç hijezuesit të syve me ngjyrë të kaltër, që është parë shumë në revytë e modës për sezonin vjeshtë-dimër të këtij viti, ngjyra e kaltër ka gjetur përdorim të gjerë edhe në manikyrin e modeleve. Në fakt, në shumicën e modeleve të paraqitura në pistat e modës kemi parë një kombinim në mes të hijezuesit të syve dhe thonjve me ngjyrë të kaltër.

Image

 

Manikyri i ri francez

Manikyri francez është një stil klasik i manikyrit, që ekziston tash e shumë kohë. Në origjinë, ky stil i thonjve ishte krijuar për të treguar një anë më të sofistikuar të femrave, pasi ky lloj manikyri kërkon kreativitet dhe përpikëri. Siç duket, ky lloj manikyri, me shumë forma të reja, do të jetë një trend i madh edhe për këtë vjeshtë-dimër.

Image

Thonjtë në formë ovale

Thonjtë në formë ovale kanë qenë një trend i padiskutueshëm për sezonin pranverë-verë dhe, siç duket, ky lloj manikyri do të qëndrojë edhe për një kohë në modë. Thonjtë në formë katrore mund të jenë të parapëlqyerit e shumicës së femrave, mirëpo thonjtë në formë ovale, me majë gjysmë-rrethore, ofrojnë një dukje shumë më të sofistikuar.

Image

Ngjyrat e errëta

Nëse jeni adhuruese e ngjyrave të errëta, atëherë ky është sezoni juaj fatlum, pasi, përveç buzëkuqit me ngjyrë të errët, edhe thonjtë me ngjyrë të errët do të jenë trend i madh për vjeshtën dhe dimrin e këtij viti. Manikyri me ngjyra të errëta është parë shpesh në revytë e modës, ndërsa e mira e gjithë kësaj është se ju keni një gamë të gjerë ngjyrash për ta përdorur.

Image

Thonjtë e shkurtër

Një tjetër trend i madh për sezonin vjeshtë-dimër të vitit 2015, sa i përket manikyrit, do të jenë thonjtë e shkurtër. Stilet e tilla të thonjve janë shumë të lehtë për t’u krijuar dhe për t’u mirëmbajtur, andaj edhe pëlqehen nga shumë femra anekënd botës.

Image

 

(Kosova Sot)