Trajtime për parandalim të flokëve të plasaritur

  • 25 November 2015 - 14:17
Trajtime për parandalim të flokëve të plasaritur

Skajet e plasaritura dhe të thara janë një ankth i shumë femrave që kanë flokë të gjatë dhe gjysmë të gjatë. Por, ekziston zgjidhja edhe për këtë problem. Përveçqë flokët duhet shkurtuar rregullisht me prerje, ja edhe disa këshilla të ekspertëve, të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e problemit.

Krehja agresive dëmton flokët

Pa marrë parasysh se a përdorni brushë apo krehër, flokët mos i krihni me lëvizje agresive. Ndaj flokëve silluni but. Flokët assesi mos i krihni derisa janë të lagur, sepse në atë mënyrë e humbin mekanizmin mbrojtës. Është më mirë që të përdorni brushë dhe atë të butë, të bërë nga materiale natyrale, sepse ato më të fortat dhe artificiale në flokë shkaktojnë dëme të mëdha. I krihni me lëvizje të njëtrajtshme, prej rrënjëve në drejtim të skajeve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 Hidratojini flokët!

Është me rëndësi që të blini shampo që përmban hidratues, në mënyrë që të parandaloni që flokët tuaj të thahen dhe më pas të krijohen skajet e plasaritura. Gjithashtu, regjeneruesi i mirë bën mrekulli, kështu që mos kurseni me rastin e blerjes së këtyre produkteve. Trajtimi me shampo kualitativ dhe përdorimi i regjeneruesit në flokë të larë mirë paraqesin hapin e parë në mbrojtjen e flokëve, e pas kësaj flokët i mbështillni me peshqir dhe i lini ashtu prej 10 deri në 15 minuta. Lërini flokët që të thahen në mënyrë natyrale, pa përdorim të tharëses dhe më pas i krihni. Procedurën përsëriteni dy deri në tri herë në javë dhe flokët do të jenë mirënjohës.

Mos e harroni masazhin e lëkurës së kokës!

Vajin e ullirit ose të bajameve e përzini me ujë të ngrohtë dhe përzierjen ngadalë e qitni në flokë. E lini përzierjen që të qëndrojë në flokë për pesë deri në dhjetë minuta, gjë që flokët tuaj do t’i bëjë të butë dhe të fortë, imunë ndaj dëmtimeve dhe paraqitjes së skajeve të plasaritura. Mos harroni që t’i shpëlani mirë flokët, sepse vaji është i yndyrshëm dhe nuk dëshironi që flokët pas larjes të duken si të papastra.

Trajtimet e skajeve të plasaritura me preparate shtëpiake

1. I përzini sasitë e barabarta të vajit të ricinit, vajit të mustardës dhe vajit të ullirit. Përzierjen e qitni në flokë, të cilët më pas duhet t’i mbështillni me peshqir dhe të lejoni që për gjysmë ore flokët t’i thithin përbërësit e dobishëm. Pasi që t’i shpëlani mirë flokët, i lani me shampo normal.

2. Ky trajtim konsiderohet si një ndër më të mirët kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj flokëve. Krejt për çfarë keni nevojë janë 30 gramë rozmarinë, mundësisht të freskët, pak ujë të ngrohtë dhe një vezë. Rozmarinën e lini që të qëndrojë në ujë të ngrohtë për 20 minuta, e më pas e lini që të ftohet. Kur përzierja të jetë krejtësisht e ftohtë, në të e përzieni vezën, e më pas me të i bëni masazh flokëve dhe lëkurës së kokës, pastaj i shpëlani mirë.

3. Mjalti gjithashtu është i mirë në luftën kundër skajeve të plasaritura, veçanërisht kur kombinohet me hirrën. Ju nevojitet gjysmë filxhani me hirrë dhe një lugë me mjaltë, më pas me këtë përzierje i bëni masazh flokëve, ndërsa kujdes të veçantë duhet t’u kushtoni skajeve. Lëreni që të qëndrojë 20 minuta dhe më pas i shpëlani me ujë. Kjo metodë do t’u japë flokëve shkëlqim të jashtëzakonshëm.

4. Vaji që gjendet në avokado e bën atë ideal për trajtim të flokëve. Nga avokadoja e bëni një pure dhe, pasi që i keni lënë flokët e larë që të thahen pak, me të u bëni masazh flokëve. Kujdesuni që një pjesë e mjaftueshme e kësaj pureje të arrijë edhe në skajet e flokëve tuaj. Lëreni të qëndrojë prej 15 deri në 30 minuta, e më pas flokët i shpëlani mirë.

(Kosova Sot)