Këshilla për lëkurë të bukur në dimër

  • 26 November 2015 - 11:59
Këshilla për lëkurë të bukur në dimër

Sezoni i festave të fundvitit mund të shkaktojë stres, i cili më pas e dëmton lëkurën tuaj të mahnitshme, ashtu si mund ta dëmtojnë edhe erërat e forta, ajri i thatë dhe temperaturat e ulëta. Nuk keni nevojë të brengoseni, sepse ne kemi këshillat e duhura për një lëkurë të bukur edhe në dimër.

Mbrojeni veten!

Dielli shkëlqen edhe në kohë dimri. Ndoshta duhet të kaloni pjesën më të madhe të ditës në zyrë, por lëkura  juaj vazhdon të marrë rrezet e diellit nëpërmjet dritares së qelqit, por edhe gjatë udhëtimit. Përdorni krem mbrojtës me SPF të lartë, sepse edhe dëbora reflekton rrezet e diellit duke amplifikuar efektin e tyre, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ndiqni një rutinë!

Cila është pjesa më e rëndësishme e rutinës suaj për kujdes të lëkurës? Ndjekja e saj. Krijoni një rutinë, të cilën do ta ndiqni çdo natë. Organizoni produktet që do të përdorni për të pastruar dhe hidratuar lëkurën.

Zgjidhni produktet më efektive!

Zgjidhni një regjim që ju përshtatet dhe ka formulë hidratuese, regjeneruese dhe ushqyese në të njëjtën kohë për të pasur lëkurën në formën më të mirë edhe në dimër. Lëkura e hidratuar mirë duket më e re, shkëlqen më shumë dhe mbrohet nga plakja e parakohshme.

Konsumoni ushqim të shëndetshëm!

Mbusheni kuzhinën tuaj me produkte të pasura me vitaminë C dhe me perime. Vitamina C ndihmon krijimin e kolagjenit një proteinë që ruan elasticitetin e lëkurës dhe e bën atë të duket e freskët. Zgjidhni ushqime që kanë yndyra të llojit omega-3, që gjenden te peshqit, sidomos salmoni, vaji i ullirit, sardinet dhe avokadot, që ndikojnë në hidratimin e lëkurës.

Gjumi i mjaftueshëm

Ditët dhe netët  tuaja mund të jenë të ngarkuara, por gjumi ndikon shumë në rigjenerimin e lëkurës suaj. Kur nuk flini sa duhet, trupi  juaj krijon më shumë hormone të stresit, si është kortisoli, që do të thotë se stresi eskalon dhe shkaktohet një inflamacion në trupin tuaj duke dëmtuar kualitetin e lëkurës.

(Kosova Sot)