Receta natyrale për lëkurë të shkëlqyer

  • 28 November 2015 - 09:11
Receta natyrale për lëkurë të shkëlqyer

Rekomandimet e kirurgut plastik  

Ndonëse mund të duket kontradiktore që një kirurg të ofrojë këshilla dhe receta natyrale për trajtimin e lëkurës, Andrew Ordon ka bërë diçka që shumica e kolegëve të tij nuk e bëjnë, duke ofruar receta natyrale për eliminimin e rrathëve të errët në lëkurë dhe rikthimin e shkëlqimit të lëkurës. Më poshtë ua kemi sjellë disa nga recetat e tij natyrale, që mund t’i provoni për t’i ‘fshirë’ disa vjet nga lëkura juaj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Zbutësi me mjaltë dhe avokado

Zbutësi është shumë i rëndësishëm për parandalimin e shenjave të plakjes, pasi që ia kthen lagështinë lëkurës dhe shërben si mbushës i përkohshëm i rrudhave, duke bërë që të fitoni një lëkurë më të butë dhe më të bukur.

Përbërësit:

3 lugë gjelle ajkë;

¼ avokado;

1 lugë gjelle mjaltë.

Udhëzimet:

Përzieni të gjithë përbërësit në një enë dhe përzieni mirë deri sa ta krijoni një krem të butë. Përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurë dhe lëreni të qëndrojë për të paktën një orë, para se ta pastroni lëkurën me ujë të vaktë.

Image

Sallata që lufton rrudhat

Kjo sallatë frutash është e mbushur përplot me antioksidues, që mbrojnë lëkurën tuaj nga rrezet e dëmshme të diellit dhe përmirësojnë qarkullimin e gjakut, duke stimuluar kështu shpërndarjen më të përshtatshme të lëndëve ushqyese nëpër lëkurë. Andaj, hajeni një sallatë të tillë në mëngjes, për t’i kontribuuar shëndetit të lëkurës nga përbrenda.

Përbërësit:

120 gramë boronica të freskëta;

120 gramë dredhëza të freskëta;

1 kivi të qëruar dhe të copëtuar;

120 gramë fara të shegës;

120 mililitra lëng portokalli organik;

1 grusht arra të grimcuara.

Udhëzime:

Përzieni katër përbërësit e parë në një enë të vogël. Derdheni lëngun e portokallit në përzierje dhe më pas hidhini edhe arrat.

Image

Gjethet e borzilokut

Kjo recetë është e shkëlqyer për femrat që kanë probleme me aknet. Borziloku ndihmon në largimin e baktereve që shkaktojnë aknet dhe përmirëson qarkullimin e gjakut në lëkurë.

Përbërësit:

3 lugë gjelle gjethe të copëtuara të borzilokut;

250 mililitra ujë.

Udhëzimet:

Shtypini mirë gjethet e borzilokut dhe përzieni në një enë me ujë që vlon. Pasi që përzierja të ftohet, largojini gjethet dhe ujin derdheni në një shishe spreji dhe me të spërkateni lëkurën. Përdorni një topth pambuku që me kujdes ta shpërndani gjithë përzierjen nëpër fytyrë.

Image

Përzierja për trajtimin e duarve

Lëkura e duarve është pothuajse vazhdimisht në kontakt me ambientin e jashtëm, andaj herë pas here duhet trajtuar me përzierje natyrale, për t’i larguar qelizat e vdekura.

Përbërësit:

120 gramë oriz të zier;

1 lugë gjelle nektar agave;

1 lugë gjelle lëng limoni.

Udhëzime:

Përzieni të gjithë përbërësit e lartpërmendur. Përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurën e duarve, duke e lëvizur përzierjen në mes të pëllëmbëve të duarve nëpërmjet lëvizjeve rrethore, para se t’i trajtoni edhe pjesët e pasme të pëllëmbëve të duarve.

Image

Përzierja e sheqerit me bajame

Trajtimi i rregullt i lëkurës së fytyrës ju ndihmon që të çliroheni nga  qelizat e vdekura, duke bërë që lëkura juaj të duket më e re dhe si rrjedhojë, më e ndritshme.

Përbërësit:

3 lugë gjelle ajkë të freskët;

250 gramë sheqer të bardhë;

120 gramë sheqer kafe;

120 gramë bajame të grimcuara;

2 lugë gjelle vaj ulliri.

Udhëzime:

Përzieni mirë të gjithë përbërësit dhe përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë të tharë nëpërmjet lëvizjes rrethore të pëllëmbëve të duarve. Përfundimisht, pastrojeni fytyrën me ujë të vaktë, para se ta trajtoni me ujë të ftohtë.

Image

Trajtimi i flokëve me kokos e majonezë

Bëni që flokët tuaj të jenë të butë, të hidratuar dhe me shkëlqim, nëpërmjet përdorimit të kësaj recete një herë në javë.

Përbërësit:

120 gramë majonezë;

1 lugë gjelle vaj kokosi;

1 lugë çaji ekstrakt kokosi.

Udhëzime:

Përzini të gjithë përbërësit dhe përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurë të kokës, para se ta mbështillni kokën me një qese plastike. Lëreni përzierjen që ta kryej punën e vetë për rreth gjysmë ore, para se t’i pastroni flokët.

Image

Përzierja për trajtimin e buzëve

Qelizat e vdekura që mblidhen në buzë bëjnë që ato të çahen dhe të mos duken bukur, sidomos gjatë stinës së dimrit, kur ky problem është më i shpeshtë.

Përbërësit:

Gjysmë lugë çaji balsam zbutës;

¼ lugë çaji kafe të bluar.

Udhëzime:

Përzieni mirë të gjithë përbërësit në një enë dhe me përzierjen e fituar bëjini masazh buzëve, para se përzierjen e mbetur në buzë ta largoni me një leckë të lagur në ujë të vakët.

Image

(Kosova Sot)