Receta natyrore për flokë të shëndosha dhe të shkëlqyeshme

  • 12 February 2016 - 08:34
Receta natyrore për flokë të shëndosha dhe të shkëlqyeshme

Për flokë të shkëlqyeshme, si dhe për përtëritjen e majave të çara

Të kuqtë e tundur të vezës përziejeni me një lugë konjak dhe një lugë vaj të ullirit. Masën e fituar qiteni në flokë dhe lehtësisht bëni masazh të lëkurës së kokës. Flokët mbështillni me qese të rëndomtë të plastikës, e më pas edhe me peshqir. Lërini që të rrinë ashtu për 30 deri 60 minuta, e më pas flokët shkumoni me shampo dhe lani mirë e mirë me ujë të ngrohtë. Vendoseni regjeneratorin tuaj të preferuar dhe kënaquni në shkëlqimin natyror, të mrekullueshëm të flokëve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Maska për flokë shkëlqyese dhe të buta

Përziejeni një vezë me tri lugë mjaltë, tri lugë qumësht dhe gjashtë lugë vaj ulliri, ku në këtë përzierje shtoni edhe një banane të ndrydhur. Të gjithë këta përbërës përzieni në një masë kompakte dhe, para larjes, vendoseni në masë uniforme mbi flokë. Lëreni ashtu që të qëndrojë nja gjysmë ore, në mënyrë që të gjithë përbërësit të thithen nga rrënjët e flokëve. Më pas flokët shpëlani me ujë të nxehtë dhe shampo.

Maska për flokët e dëmtuar

Maskat të cilat rezultojnë me një fortësi më të madhe të flokëve dhe me një shkëlqim shtesë të tyre, i bëjnë ato më të forta dhe më rezistente ndaj faktorëve të jashtëm, prandaj ato preferohet që të vendosen në flokë mesatarisht çdo 15 ditë.

Ja një recetë natyrore:

Dy lugë vaj ulliri, një lugë mjaltë dhe një të kuq të vezës përzieni derisa ta fitoni një masë kompakte. Këtë masë vendoseni lehtësisht në flokë dhe mbulojeni me qese të plastikës. Pas gjysmë ore flokët duhen larë me ujë të nxehtë dhe të lihen që të teren.

Nëse majat janë tepër të dëmtuara, e flokët e çara, në rrënjët e tyre vendosni vaj të vakët të ullirit, mbuloni flokët me qese të plastikës dhe leni që të qëndrojnë ashtu gjatë tërë natës.

Preparatet vitaminoze për flokë

Shtrydheni një limon, një grejpfrut dhe një portokall. Një banane bluajeni në bluarës elektrik me dy dcl qumësht dhe përzieni të gjitha në një vend. Këtë masë vendoseni mbi flokët e sapolara dhe lëreni që të qëndrojë rreth gjysmë ore. Më pas shpëlani flokët mirë e mirë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Për flokët e dëmtuara me maja të çara

Lëngun e një limoni përziejeni me dy të kuq të tundur të vezëve dhe me një të bardhë të vezës, duke shtuar në këtë masë edhe një lugë mjaltë. Një masë të përgatitur në këtë mënyrë qiteni në kokë, te rrënjët e flokëve dhe lëreni që të qëndrojë 15 minuta. Flokët më pas lani me ujë të ngrohtë.

Maska për flokët e thara

Një lugë mjalti përziejeni me një të kuq të vezës dhe vendoseni këtë masë mbi flokët e sapolara. Mbështillni ato me qese dhe lëreni masën që të veprojë 10 deri 15 minuta. Lani flokët me ujë të vakët.

Aloe vera për flokë të shkëlqyeshme

Dihet se aloe vera iu jep flokëve të thata një shkëlqim të shëndoshë. Dy lugë të xhelatinës aloe vera përzieni me një lugë të lëngut të limonit dhe me pjesën e brendshme, të imtësuar, të avokados. Këtë masë vendoseni mbi flokët e sapolara dhe mbuloni ato me qese të plastikës. Pas gjysmë ore lani flokët me ujë të nxehtë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Për vëllim të flokëve

Një lugë uthull përziejeni me një lugë mjaltë dhe gjysmë gote ujë dhe këtë masë më pas vendoseni në flokë, duke iu bërë masazh rrënjëve të flokëve. Lërini flokët që të teren natyrshëm (preparatin nuk ka nevojë ta lani). Për një vëllim shtesë të flokëve mund ta përdorni edhe birrën. Pasi që i keni larë flokët, terni ato lehtësisht me peshqir dhe vendosni në to 2 dcl birrë. Lërini që të rrinë ashtu 30 minuta, e më pas shpëlani flokët, që të mos ngelet aroma e alkoolit.

(Kosova Sot)