Ja si ti reduktoni dhimbjet gjatë depilimit me dyllë

  • 12 February 2016 - 13:06
Ja si ti reduktoni dhimbjet gjatë depilimit me dyllë

Sa herë që flitet për largimin e qimeve me dyllë menjëherë në mendje na vjen dhimbja që shkaktohet nga ky proces. Megjithatë, ekspertët thonë që qimet mund t’i largoni fare lehtë dhe pa dhimbje. E tëra që ju nevojitet është të dini si dhe të përdorni produktet e kualitetit të lartë.

Ndonëse është pak e vështirë të gjendet, dylli grafit është zgjidhja më e mirë për largimin e qimeve. Ky produkt, jo vetëm që është lehtë të përdoret, mirëpo është i pajisur me vitamina dhe vajra esencialë, që zvogëlojnë pezmatimet dhe dhimbjet, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Siç edhe mund ta dini, ndjeshmëria e lëkurës është përgjegjësi kryesor për dhimbjet e shkaktuara gjatë largimit të qimeve me dyllë, ndërsa ndikim të madh në rritjen e kësaj ndjeshmërie, e rrjedhimisht edhe dhimbjeve që shkaktohen si pasojë e heqjes së qimeve, ka edhe konsumimi i produkteve që përmbajnë kafeinë.

Ndërsa, për t’i reduktuar dhimbjet gjatë heqjes së qimeve të lëkurës, përveç reduktimit të kafeinës duhet edhe t’i kushtoni më tepër rëndësi zbutjes së lëkurës.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm është përcaktimi i kohës kur duhet ta praktikoni heqjen e qimeve me dyllë. Është e rëndësishme që qimet të mos hiqen pa kaluar tri javë nga hera e fundit e depilimit, pasi që vetëm pas tri javëve qimet e arrijnë gjatësinë e përshtatshme për t’u hequr.

Metoda tjetër, që gjithashtu është shumë e rëndësishme, është përdorimi i sheqerit. Në fakt, kjo metodë është përdorur qysh para më shumë se një shekulli në Egjipt. E tëra që duhet të bëni është ta përzieni sheqerin me limon deri në atë masë sa të krijohet një lloj xheli. Përfundimisht, e nxehni xhelin dhe e vendosni në pjesën e lëkurës ku dëshironi t’i largoni qimet, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Gjithsesi, nëse kurrsesi nuk arrini ta aplikoni ndonjërën prej metodave që i kemi përmendur më lartë, para se t’i nënshtroheni tretmanit për largimin e qimeve, merrni një kapsulë për qetësimin e dhimbjeve, rreth gjysmë ore para tretmanit dhe si rrjedhojë dhimbja do të jetë më e vogël. 

(Kosova Sot)